Reforma në turizëm, katër risqe të mundshme në sektor sipas qeverisë

Sektori i turizmit është në një reformim të plotë të tij bazuar në ligjin themelor por edhe aktet nënligjore që do të zbatohen gradualisht të lidhura me standardizimin e shërbimit apo kategorizimin e strukturave akomoduese.
Por qeveria ashtu siç pranon impaktin pozitiv të iniciativave në këtë sektor, ka bërë edhe një vlerësim mbi risqet e mundshme që e kërcënojnë reformën e plotë. Së pari një ndër pikëpyetjet lidhet me mungesën e ndërgjegjësimit të bizneseve që operojnë në sektor për rëndësinë e standardizimit. Deri më tani edhe funksionimi nga spontan ky biznes ka gjeneruar të ardhura çka mund të bëjë që të kemi një farë skepticizmi.
Së dyti në zonat rurale bizneset që operojnë në sektorin e akomodimit mund të kenë pamundësi financiare për të përmbushur kriteret minimale. Kjo me të drejtë pasi qarkullimi nuk është njëlloj me një strukturë në zonat urbane. Risku i tretë lidhet me pamundësinë financiare për të investuar tek burimet njerëzore dhe trajnimi i tyre.
Një ndër ngërçet kryesore që shfaqet në çdo raport për Shqipërinë ka të bëjë me cilësinë e shërbimit që shpesh lë për të dëshiruar si efekt i burimeve të pamjaftueshme por edhe të pakualifikuara. Së katërti listës i shtohen dhe pengesat administrative që nuk vlejnë vetëm për sektorin e turizmit.
Pavarësisht këtij qëndrimi konservator qeveria ka planifikuar që për reformën në turizëm të vërë në dispozicion në tre vite fonde të veçanta që për vitin 2017 llogaritet 458 mijë euro për vitin 2018, 393 mijë euro dhe për vitin 2019 393 mijë euro.
Fondet për reformën në turizëm:
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.