Reformat e Eurozonës – Villeroy: Kanë ngecur prej kundërshtimit të ndarjes së rrezikut
Guvernatori i Bankës së Francës, Francois Villeroy, tha se përgatitjet për të mbrojtur Eurozonën në një krizë të ardhshme financiare nuk po ecin me hapin e duhur. Shumë vende europiane, përfshirë Francën, kanë bërë thirrje për bashkëpunim më të fortë ekonomik brenda 19 vendeve të Eurozonës. Kjo ka ndodhur për të siguruar se sistemi ekonomik në Eurozonë është i mbrojtur dhe rajoni të mos pësojë goditje të fortë, si në rastin e krizës së borxheve sovrane të 2011-ës.
“Tashmë ka ardhur koha për të vepruar. Mendoj se debati në Këshillim Europian ka “ngecur” në çështje të vjetra si kundërshtimi i ndarjes së rrezikut”, tha ai. Vendet e Eurozonës kanë diskutuar detaje për reforma të bllokut, përfshirë planet për të përfunduar unionin bankar, ku bankat brenda rajonit do të ndjekin të njëjtat rregulla.
Megjithatë, këto detaje kanë hasur vështirësi për të arritur fazat përfundimtare. Vendet në Veri, që kanë një qëndrim më të ashpër fiskal, kundërshtojnë lidhjet me vendet jugore, prej shqetësimeve se do të përkeqësojnë financat e tyre. Një tjetër pengesë ndaj reformave të Eurozonës ka qenë mbështetja ndaj partive populiste. Këshilli Europian pritet ti japë dritën e gjelbërt propozimeve për të transformuar Mekanizmin Europian të Stabilitetit në një Fond Monetar Europian dhe për të vazhduar me unionin bankar në Qershor. Megjithatë, ekzistojnë shqetësime se ky afat kohor mund të shtyhet, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve në Itali.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.