Reformat s’shpëtojnë skemën e pensioneve – Defiçiti në skemë u rrit me 19%, pavarësisht rritjes së kontribuesve e pagës për efekt sigurimesh
Pavarësisht reformës në pensione, të ndërmarrë disa vite më parë, por edhe rritjes së pagës minimale dhe maksimale për efekt të sigurimeve shoqërore, defiçiti në skemë pësoi rritje në 6-mujroin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, gjatë periudhës janar-qershor skema e pensioneve u subvencionua nga buxheti i shtetit me 12,6 mld lekë nga 10,3 mld lekë, që ishte subvencionimi në të njëtën periudhë të një viti më parë.
Praktikisht deficiti në skemë është rritur me rreth 19%, ndonëse gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, numri i personave që paguan sigurime shoqërore u rrit me 6.4% në raport me periudhën janar-qershor. Por paralelisht, me rritjen e numrit të kontribuesve, në 6-mujroin e parë të këtij viti u rrit edhe numri i përfituesve të pensioneve, teksa rezultojnë 11 mijë pensionistë më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas të dhënave të ISSH-së, për periudhën janar-qershor numri i personave që përfitojnë pension pleqërie arrIti në 668 890, nga 657 904 që ishte në të njëjtën përriudhë të vitit të kaluar. Reforma në skemne pesnioneve hyri në fuqi në janar të vitit 2015, teksa parashikoi një rritje graduale në moshës dhe vjetërsisë në punë.
Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, u parashikua një rritje e moshës së daljes në pension për grate me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë. Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë, që sipas skemës së re rritet çdo vit me 4 muaj.
Ndërkaq, sivjet qeveria rriti edhe pagën minimale dhe maksimale për efekt të sigurimeve shoqërore. Më konkretisht, paga minimale u rrit në 30 mijë lekë, nga 26 000 që ishte nëj vit më parë, ndërsa ajo maksimale shkoi në 132,313 lekë , nga 114,671 që ishte vitin e kaluar, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e masës së kontributieve të sigurimeve shoqërore që paguan çdo i punësuar.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.