Rritet tregu i pensioneve private – 6-mujori/ 10.32% më shumë asete, Credins Pension kryeson tregun me 55.55%
Tregu i pensioneve private pësoi rritje me 10.32% gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2020. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiar, në fund të muajit qershor, totali i aseteve neto arriti në 3,97 mld lekë apo 32.41 milionë euro, duke u rritur me 372.02 mln lekë, në krahasim me fundin e vitit 2020. Rritje pësoi edhe numri i anëtarëve që janë bërë pjesë e skemave të pensioneve private.
Sipas të dhënave nga AMF, më 30.06.2021 ky numër rezultoi 32,187 anëtarë apo 3.76% krahasuar me 31.12.2020. Në tregun e pensioneve private vullnetare ushtrojnë aktivitetin e tyre katër fonde pensioni, ndërkohë që Credins Pension renditet në vend të parë, sa i takon numrit të anëtarëve, duke zotëruar 55.55% të tregut. Pas tij, vjen Sigal me 27.4% të tregut dhe Raiffeisen me 9.82% të tregut. Në vendin e katërt, sa i takon numrit të anëtarëve është Albsig me 7.23% të tregut të pensioneve private.
Ndërkaq, sa i takon ndarjes së tregut sipas asesteve neto, në vendin e parë është fondi i pensionit Sigal, ndërsa pas tij vjen Credins Pension. Në vendin e tretë renditet Raiffeisen, ndërsa në vendin e katërt Albsig. Skemat e pensioneve private janë krijuar për faktin se sistemet e zakonshme shtetërore të pensioneve nuk u sigurojnë njerëzve të ardhura të mjaftueshme kur arrijnë moshën e pensionit.
Ndërkohë që, përmes këtyre skemave kontributet investohen dhe akumulojnë interesin e fituar nga shuma e derdhur. Anëtarët përfitojnë shumën e akumuluar nga kontributet dhe interesat kur plotësojnë kushtet e përfitimit.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.