Rekord papunësie në SHBA – Niveli më i ulët që prej vitit 1973

Numri i amerikanëve të cilët janë në kërkim të një pune ka rënë pranë nivelit më të ulët të 44 viteve të fundit gjatë Shkurtit.
Përmirësimi i mëtejshëm i tregut të punës, drejt kapacitetit të plotë, si dhe rritja ekonomike e moderuar gjatë tremujorit të parë të vitit, sinjalizojnë një ndërhyrje të Rezervës Federale në politikat monetare gjatë këtij muaji. Këto të dhëna shoqërohen edhe me një normë të fortë të inflacionit.
Shanset për një rritje të normave të interesit gjatë këtij muaji fiksohen në mbi 70%, projektojnë tregjet. Aplikimet për përfitime të asistencës së papunësisë në Shtetet e Bashkuara ranë me 19 mijë gjatë shkurtit, duke prekur kështu nivelin më të ulët që prej muajit Mars të vitit 1973.
Kjo është java e 104-të me radhë që kërkesat për asistencën e papunësisë janë poshtë nivelit 300 mijë. Kjo është seria më e gjatë që prej vitit 1970 por, asokohe tregu i punës ishte bindshëm më i vogël.
Me një normë papunësie pranë 4.8%, tregu i punës në vend është pranë kapacitetit të plotë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.