Turizmi shqiptar në platformat online – Sa njësi janë regjistruar dhe çfarë kushtesh ofrojnë?

Shqipëria prezantohet këtë vit në platformat online me një numër të shtuar të njësive akomoduese që ofrohen për turistët vendas e të huaj.
Sipas të dhënave ekskluzive për SCAN nga AirDNA.co, i cili proceson të dhënat e Airnbnb dhe nxjerr analiza të detajuara, në Shqipëri renditen 2138 njësi akomoduese të gatshme për prenotim, shumica prej të cilave ofrojnë të gjithë apartamentin apo shtëpinë për turistët.
Pjesa më e madhe e këtyre pronave është e përqendruar në zonat bregdetare. Konkretisht, në Jugun e vendit janë 818 listime dhe në Durrës dhe Gjirin e Lalëzit janë 134 listime.
Megjithatë listime, ndonëse më të pakta në numër, ka edhe në Tiranë, Korçë dhe Shkodër.

Vizitorët duket se janë shumë të kënaqur me atë çfarë ofrojnë njësitë akomoduese në vendin tonë.
43% e pronave në Durrës janë vlerësuar me 5 yje, ndërsa vetëm 4% kanë marrë vlerësim më të ulët se 4 yje. Komunikimi, shprehen vizitorët, është aspekti më i mirë i ofertës së pronave të listuara në këtë zonë, por edhe pastërtia dhe vlera për paratë e shpenzuara janë vlerësuar si shumë pozitive.
Ndërkohë, në Jugun e vendit, numri i lartë i listimeve ndikon duke zbehur paksa vlerësimet pozitive të mëparshme. 29% e pronave janë vlerësuar me 5 yje, 9% me 4 yje e gjysmë dhe 18% me 4 yje. Vetëm 11 prona në Jug janë vlerësuar me 3 yje. Edhe këtu është komunikimi aspekti më pozitiv, ndjekur nga pastërtia, vlera për paratë e shpenzuara dhe vendndodhja.
Sa i takon ofertës në tërësi, Jugu është i pajisur më mirë me shërbimet dhe elementët e nevojshëm për pushuesit si: ajri i kondicionuar, WiFi, elektroshtëpiaket për gatim, etj.
Shërbimi/Pajisja | Jugu i Shqipërisë | Durrës dhe Gjiri i Lalëzit |
Ajër i Kondicionuar | 81% | 63% |
WiFi | 69% | 63% |
Televizor kabllor | 23% | 22% |
Palestër | 1% | 8% |
Pishinë | 5% | 6% |
Ngrohje | 46% | 53% |
Lejohen kafshët shtëpiake | 31% | 31% |
Oxhak | 5% | 9% |
Kuzhinë e pajisur | 85% | 83% |
Lavatriçe | 65% | 59% |
Parking falas | 73% | 75% |
Vaskë | 9% | 7% |
Mëngjesi falas | 9% | 15% |
Strukturat në pjesët e tjera të vendit, me përjashtim të Tiranës janë relativisht më të varfra në kushtet e ofruara, por duke qenë se tipologjia e turistëve është e ndryshme, oferta është e përshtatur. Konkretisht 50% e tyre ofrojnë mëngjesin falas, 1 në 5 banesa kanë oxhak, ndërsa 2 në 5 banesa lejojnë edhe kafshët shtëpiake brenda.
Me rritjen me ritëm shumë të shpejtë të numrit të pronave të listuara online, shqiptarët po fitojnë gjithmonë e më tepër eksperiencë. Kombinuar me uljen e TVSH-së për strukturat akomoduese të turizmit nga 20% në 6%, pritet që të shtohen edhe investimet në këto lloj pronash, çka do të përmirësojë ofertën akomoduese të pronave individuale, por edhe të vendit tonë në tërësi.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.