Rishikohet ekonomia e SHBA – Rritet me 1.4% në T1 prej konsumit

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u ngadalësua më pak se vlerësimet fillestare në tremujorin e parë, kryesisht prej rritjes së shpenzimeve konsumatore, duke dhënë kështu një perspektivë më inkurajuese për rritjen këtë vit.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me një normë vjetore prej 1.4% në tremujorin e parë, nga 1.2% që u raportua muajin e kaluar, deklaron Departamenti i Tregtisë duke sjellë vlerësimin përfundimtar për periudhën. Kjo solli performancën më të dobët të ekonomisë që prej tremujorit të dytë 2016. Sipas analistëve të JP Morgan, rishikimi në rritje erdhi pavarësisht të dhënave më të dobëta në inventarë.
Projeksionet e analistëve qëndronin për një rritje me 1.2% në tremujorin e parë. Ekonomia nënperformon në këtë periudhë, në krahasim me pjesën tjetër të vitit, kryesisht prej problematikave të vazhdueshme në kalkulimin e të dhënave. Tremujori i parë u nxit nga rishikimi i shpenzimeve konsumatore, që përbëjnë për më shumë se 2/3-tat e aktivitetit ekonomik në SHBA.
Shpenzimet konsumatore u rritën me 1.1%, që është niveli më i dobët që prej 2013-ës, megjithatë sa dyfishi i shifrës së raportuar më parë. Pavarësisht rishikimit pozitiv, objektivi i Administratës së Trump për një rritje me 3% të ekonomisë, mbetet një sfidë. Një mesatare e qëndrueshme e rritjes në 3% nuk është arritur në SHBA që prej viteve 90.
Produkti i Brendshëm Bruto ka pasur rritje me 2% mesatarisht që prej vitit 2000, ndërsa në 2016-ën u zgjerua me 1.6%. Përveç kësaj, programi i Presidentit me ulje të taksave, përmbysje të rregullatorëve dhe shpenzime në infrastrukturë, nuk ka nisur ende.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.