Rishikohet ekonomia e SHBA – Rritet me 3.1% në T2, uraganet pritet të ndikojnë më vonë gjatë vitit

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit sipër vlerësimit fillestar në tremujorin e dytë, duke rezultuar në normën më të lartë të rritjes në më shumë se 2 vite. Megjithatë, vrulli ka gjasa të jetë ngadalësuar për tremujorin e tretë për shkak të ndikimit të uraganëve Harvey dhe Irma.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3.1% me bazë vjetore për periudhën Prill-Qershor, raporton Departamenti i Tregtisë. Rishikimi në rritje nga 3%, reflektoi një rritje të investimeve në inventar. Rritja ekonomike e tremujorit të kaluar ishte më e larta që prej fillimit të 2015-ës dhe vjen sipër rritjes prej 1.2% në tremujorin e parë.
Ekonomistët vlerësojnë se Harvey dhe Irma, mund të heqin rreth 0.6% nga rritja e tremujorit të tretë. Harvey ndikoi në rënien e shitjeve me pakicë, prodhimit industrial, ndërtimit dhe shitjes së shtëpive në muajin Gusht. Goditje të tjera priten prej uraganit Irma në Shtator.
Megjithatë, rindërtimi i dëmeve pritet të nxisë rritjen e produktit të Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt dhe në fillim të 2018-ës. Ndërsa ekonomia u përshpejtua në tremujorin e dytë, norma e rritjes për gjysmën e parë të vitit shënoi 2.1%.
Megjithatë, analistët thonë se totali për 2017-ën do të jetë poshtë objektivit ambicioz të Donald Trump prej 3%. Trump propozoi reformën më të madhe tatimore në SHBA në 3 dekada.
Rritja e shpenzimeve konsumatore, që përbën për 2/3-at e ekonomisë mbeti e pandryshuar në 3.3% për tremujorin e dytë. Prej shpenzimeve të forta private, bizneset kanë akumuluar më pak inventar se sa u vlerësua më parë, për ti bërë ballë kërkesës së fortë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.