Roaming me Kosovën – AKEP dhe ARKEP konfirmojnë uljen e tarifave në 15 qershor
Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike zhvilloi të shtunën një mbledhje të përbashkët me institucionin homolog kosovar, ARKEP, ku u diskutuan detajet e fundit për uljen graduale të tarifave roaming mes dy vendeve. Dy autoritetet konfirmuan se faza e parë e uljes së tarifave do të nisë më datën 15 qershor. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë mbledhjes u diskutua për përfitimet që do të kenë qytetarët e të dy vendeve nga reduktimi deri në heqjen e plotë të tarifave për shërbimet roaming.
Nga 15 qershori, tarifa tavan në roaming-un e ndërsjellë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë 28.5 lekë për minutë thirrje dalëse, 6 lekë për minutë për thirrje hyrëse, 9 lekë për mesazh të shkruar dhe 26.4 lekë për megabyte internet. Që nga viti 2021, parashikohet që të gjitha tarifat roaming mes dy vendeve të eliminohen plotësisht dhe përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri dhe Kosovë do të paguajnë në roaming tarifa të njëjta me ato që paguajnë brenda vendit.
E njëjta rrugë do të ndiqet edhe me vendet e tjera të rajonit, por ulja e tarifave në këtë rast pritet të hyjë në fuqi pas datës 1 korrik të këtij viti, sipas marrëveshjes që gjashtë vendet nënshkruan në 4 prill, në Beograd. Ndërkohë, procesi me Kosovën është pak më i avancuar, në zbatim të marrëveshjes që dy qeveritë nënshkruan në nëntor të vitit të kaluar, në Pejë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.