Rrëzohen 2 dekrete të Presidentit – Fino: Rezervat e Metës, personale. Braho: Sa ligje ka kthyer deri tani Kreu i Shtetit?
Komisioni Parlamentar i Ligjeve rrëzoi dy dekrete të Presidentit Ilir Meta, përmes të cilëve ai kërkonte rishikimin e dy ligjeve, atë të vetëqeverisjes vendore dhe të Kodit të ri Penal. Argumentet e Presidentit u mbrojtën në Komision nga Këshilltari i tij Bledar Dervishaj, i cili paraqiti rezervat e Kreut të Shtetit lidhur me dy nene të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore. Dy nenet, sipas Presidentit, ulin rolin vendimmarrës të Këshillave Bashkiake Lidhur me vendime që kanë të bëjnë me tjetërsimin dhe dhënien me qira të pronës publike. Dervishaj tha se diçka e tillë mund të keqpërdorej nga Kryetarët e Bashkive, të cilët mund t’i jepnin pronat publike të bashkive për interesa klienteliste.
Si relator i ndryshimeve në ligj, por edhe në shqyrtimin e Dekretit të Presidentit, Deputeti i Mazhorancës Bashkim Fino i konsideroi rezervat e Presidentit si të pavenda, madje edhe tendencioze ndaj atij personalisht. Sipas Finos, për herë të parë rezervat e Presidentit i drejtoheshin relatorit dhe jo vetë Kuvendit, ndërkohë që argumentoi se ulja e votave të Këshillit Bashkiak nga 2/3 në ½ aplikohet vetëm për rastet e qiradhënies dhe se është bërë për të rritur autonominë e organeve të qeverisjes vendore.
Ndërkohë që ishin 4 nenet e Kodit të ri Penal ndaj të cilëve institucioni i Presidentit ka paraqitur rezerva të forta. Dervishaj argumentoi se ato cenojnë parimin e sigurisë juridike të qytetarëve, veçanërisht në një moment kur Shqipëria nuk ka funksionale Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, të vetmet organe që kanë tagrin ligjor të bëjnë interpretimet e tyre. Këshilltari i Presidentit i quajti disa prej ndryshimeve edhe abstrakte që rrezikojnë interpretime.
E pranishme gjatë punimeve të Komisionit, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ju kundërvu rezervave të Presidentit me argumentin se ato kanë prioritet mbrojtjen e zyrtarëve e institucioneve shtetërore, dënimin e nëpunësve publikë që shkelin ligjin. Ajo përmendi disa prej ndryshimeve që vijnë si nevojë e rritjes së sigurisë ushqimore për qytetarët, ndërkohë që nënvizoi se mungesa e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese nuk mund ta privojë vendin nga domosdoshmëria e përmirësimit të ligjeve.
Nuk kanë munguar në komision as replikat mes deputetëve dhe përfaqësuesit të Presidentit. Deputetit socialist Spartak Braho, shfaqi rezerva lidhur me termin ndryshime abstrakte të përdorur nga përfaqësuesi i Presidentit. Ai kërkoi edhe informacion lidhur me numrin total të ligjeve të kthyera në Kuvend nga Presidenca, duke akuzuar se një pjesë e mirë e dekreteve përqendrohen te pika të parëndësishme të teknikës legjislative dhe jo me thelbin e ligjeve apo kushtetutshmërinë e tyre.
Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e ligjit të vetëqeverisjes Vendore u rrëzua me votat e të gjithë anëtarëve përjashto tre kundër, ndërsa ai për ndryshimet në Kodin penal mori vetëm dy vota kundër.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.