Rritet industria italiane – Surprizon tregjet, makinat udhëheqin trendin
Prodhimi industrial në Itali në mënyrë surprizë regjistrohet në rritje gjatë Qershorit, me 1.1%.
Gjatë vitit ndërkohë, rritja fiksohet në 5.3%. Të dhënat rezultojnë mbi pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Në rritje të ndjeshme regjistrohet prodhimi i makinave, me 4.4%, përgjatë tremujorit të dytë të vitit.
Në rritje regjistrohen edhe energjia dhe produktet farmaceutike. Të dhënat e institutit italian të statistikave flasin për një përmbysje totale të situatës në krahasim me tremujorin e parë të vitit, kur prodhimi regjistrohej në rënie.
Ekspertët argumentojnë se, tanimë sektori industrial ka filluar që të japë një kontribut pozitiv në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.
Vetëm gjatë Qershorit, prodhimi i automjeteve është në rritje me 19.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Është pikërisht ky sektori që po tërheq industrinë. Sektori industrial në Itali duket se po ecën me një hap tjetër në krahasim me anëtarët e tjetër të eurozonës, dhe kjo gjë me shumë gjasa do ti japë një shtysë domethënëse ekonomisë së tretë më të madhe të rajonit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.