Rritja e pagave në Britani – Arrin nivelin më të lartë në 2 vite e gjysmë, norma e papunësisë në 4.3%
Rritja e pagave për punëtorët britanik është përshpejtuar në nivelin më të lartë në 2 vite e gjysmë në Janar, duke shtuar mundësitë që Banka e Anglisë të rrisë normën e interesit në Maj.
Të dhënat treguan se rënia për 9 muaj radhazi e pagave reale përfshirë bonuset ka përfunduar.
Ekonomia e Britanisë është ngadalësuar në vitin 2017 prej rritjes së inflacionit, gjë që solli tkurrjen e shpenzimeve konsumatore.
Zyra e Statistikave në Londër bëri të ditur se të ardhurat totale, përfshirë bonuset, u rritën me 2.8% në Janar me bazë vjetore, që është rritja më e madhe që prej Shtatorit 2015.
Duke përjashtuar bonuset, pagat patën rritje me 2.6%, në linjë me projeksionet.
Këto të dhëna pritet të bindin Bankën e Anglisë që të rrisë normën bazë të interesit në muajin Maj. Zyra e Statistikave deklaroi gjithashtu se numri i të punësuarve u rrit me 168,000 në Janar, sipër projeksioneve.
Norma e papunësisë ra në nivelin më të ulët në 4 dekada prej 4.3%.
Të dhëna të tjera treguan se qeveria britanike regjistroi një deficit buxhetor prej 1.3 miliardë paund gjatë Shkurtit, duke e çuar deficitin në 11 muajt e vitit fiskal në 41.4 miliardë paund, në rënie me 5.7% nga e njëjta periudhë një vit më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.