“Rrokada” e kredisë – Raiffeisen “hyn në ujë”, Credins është e dyta

Raiffeisen Bank e ka zvogëluar më tej vlerën e portofolit të kredisë në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa Credins Bank është tashmë banka e dytë kredituese e ekonomisë shqiptare.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të qershorit portofoli i kredisë së Raiffeisen Bank zbriti në 88 miliardë lekë, duke pësuar një rënie drastike me afro 19% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Një tkurrje kaq e madhe e portofolit të kredisë brenda një tremujori të vetëm me shumë gjasa mund të shpjegohet nga një spastrim, përmes nxjerrjes së huave jashtë bilancit apo shitjes së tyre te palë të treta.
Dikur banka më e madhe në vend, prej vitesh Raiffeisen po ndjek një strategji të uljes së vlerës së aseteve, që nisi fillimisht me reduktimin e ekspozimit në letrat me vlerë të qeverisë dhe më pas, edhe me një frenim të kredidhënies. Grupi austriak po ndjek një politikë të ngjashme me atë të shumë grupeve të mëdha të Eurozonës, që parashikon zvogëlimin e përmasave të aktivitetit në tregjet e Europës Qendrore dhe Juglindore.
Shtrëngimi gradual i rregullimit bankar po i detyron këto grupe të heqin dorë nga një pjesë e aktiveve në filialet periferike, me qëllim konsolidimin e aktivitetit në Zonën Euro. Tërheqja graduale e grupeve bankare europiane po rrit peshën e aktorëve lokalë në sistemin bankar. Banka më e madhe me kapital shqiptar, Credins, po vijon rritjen edhe gjatë këtij viti.
Në fund të qershorit, portofoli i kredisë së Credins Bank arriti në afro 97 miliardë lekë. Tashmë, Credins është banka e dytë më e madhe në huadhënie, me 17.2% të portofolit total të kredisë për ekonominë. Kryesimin e mban Banka Kombëtare Tregtare, që zotëron rreth 23.3% të kredisë aktive dhënë nga sistemi bankar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.