Rusët në ‘blerje paniku’: Grumbullojnë mallra elektronike e farmaceutike, ndërsa kriza thellohet!

Rusët nxituan të blinin pajisje elektronike dhe farmaceutike dhe shpenzuan më shumë për rroba dhe ushqime në javën e parë të marsit, tha Promsvyazbank (PSB), duke grumbulluar mallra ndërsa rubla ra në vlerë dhe sanksionet perëndimore ndërprenë tregtinë.
Çmimet për mallrat janë rritur në të gjithë botën që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Moska më 24 shkurt, duke shkaktuar sanksione që kanë izoluar ekonomikisht Rusinë dhe kanë çuar monedhën në nivelet më të ulëta historike. Shumë nga kompanitë kryesore të botës kanë pezulluar operacionet në vend dhe ai është kryesisht i përjashtuar nga sistemi financiar ndërkombëtar.
Një rus i zakonshëm shpenzoi 21% më shumë në javën e parë të marsit krahasuar me mesataren e shkurtit, i nxitur si nga inflacioni ashtu edhe nga nxitimi për të grumbulluar, tha banka shtetërore PSB në një shënim pas analizimit të transaksioneve të kartave të kreditit dhe debitit.
PSB ofron një gamë të gjerë shërbimesh, por është fokusuar në punonjësit e shtetit dhe sektorin e mbrojtjes që kur u shpëtua nga banka qendrore në 2017. Shpenzimet për mallra elektronike u rritën me 40%, shitjet në farmaci u rritën me 22%, dhe kërkesa për veshje, këpucë dhe shpenzimet në supermarkete u rritën me 16%, tha PSB.
Duke u përshtatur për inflacionin, kërkesa për këto lloj mallrash u rrit nga 14% në 21%, tha PSB. Rusët gjithashtu ulën shpenzimet e tyre në kafene dhe restorante me 6%, shtoi ai. Në një mjedis stresues, “klientët duan të rregullojnë çmimet dhe të blejnë jo vetëm mallra të njohura, por edhe të rregullta”, tha në shënim Dmitry Gritskevich, i cili drejton analizat e sektorit financiar dhe bankar në PSB.
Gritskevich pret që kërkesa të qetësohet në javët e ardhshme pasi zinxhirët e furnizimit nga Kina dhe India duhet të rikthehen. Inflacioni vjetor i konsumatorit arriti në 10.42% më 4 mars, sipas ministrisë së ekonomisë, nga 9.05% që ishte më 25 shkurt. Inflacioni javor u rrit në 2.22% nga 0.45% në javën e mëparshme, leximi më i lartë i tij që nga viti 1998. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.