Rusia largohet nga Këshilli i Europës – Parandalon dëbimin e pritshëm, por cilat janë pasojat?!

Rusia të martën u largua nga Këshilli i Europës, mbikëqyrësi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent, duke parandaluar një dëbim të pritshëm për sulmin e saj ndaj fqinjit Ukrainë. Rusia është vetëm vendi i dytë që largohet nga grupi pan-europian i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit që nga formimi i tij pas Luftës së Dytë Botërore.
Greqia kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 1969, gjithashtu për të shmangur dëbimin, pasi një grup oficerësh ushtrie morën pushtetin me një grusht shteti ushtarak. Ajo u ribashkua pas rivendosjes së demokracisë pesë vjet më vonë.
Tërheqja e Rusisë nga institucioni që hartoi Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe ndihmoi vendet e Europës Lindore për të demokratizuar sistemet e tyre politike pas rënies së komunizmit ka peshë simbolike. Por vendimi, i shpallur disa orë përpara votimit për përjashtimin e tij në asamblenë e Këshillit të Europës, ka gjithashtu pasoja konkrete.
Konventa për të drejtat e njeriut do të pushojë së zbatuari për Rusinë dhe rusët nuk do të mund të apelojnë më në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut kundër qeverisë së tyre. Rusia, duke shpjeguar largimin e saj, akuzoi vendet perëndimore për minimin e organit të të drejtave të njeriut, i cili kishte pezulluar anëtarësimin e Rusisë më 25 shkurt, një ditë pasi pushtoi Ukrainën.
“PËRPLAS DERËN”
Leonid Slutsky, kreu i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare të dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë, akuzoi vendet e NATO-s dhe Bashkimit Europian se e shohin Këshillin e Europës si “një mjet mbështetjeje ideologjike për zgjerimin e tyre ushtarako-politik dhe ekonomik në lindje”.
Në një rezolutë të hartuar të hënën, por të miratuar të martën pas njoftimit të Moskës, asambleja e Këshillit të Europës tha se Rusia duhet të largohet. “Në shtëpinë e përbashkët europiane, nuk ka vend për një agresor,” tha ai. Rezoluta, e miratuar me unanimitet, thoshte se ndikimi i tërheqjes së Rusisë nga gjykata europiane e të drejtave të njeriut do të zbutej nga fakti se Moska nuk do të vepronte siç duhet sipas gjykimeve të saj. “Vendimi i sotëm nuk është kundër popullit të Rusisë, është kundër regjimit autokratik, kleptokratik, shtypës të (presidentit rus Vladimir) Putin,” tha ish-kryeministri grek George Papandreu, tani një anëtar i asamblesë së Këshillit të Europës. “Vendi im, Greqia, u përjashtua nga Këshilli i Europës në vitet 1970 … ky vendim forcoi luftën tonë për demokraci dhe liri,” tha ai.
Pyotr Tolstoy, kreu i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit, tha në kanalin e tij Telegram se ai kishte dorëzuar një letër nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ku njoftonte vendimin e Moskës për t’u larguar nga mbikëqyrësi. Këshilli i Europës, i cili është i ndarë nga Bashkimi Europian, konfirmoi se kishte marrë letrën e Moskës.
Rusia e përshkruan pushtimin e saj në Ukrainë si një “operacion special” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën dhe për të parandaluar një gjenocid të rusisht-folësve. Ukraina dhe aleatët perëndimorë e quajnë këtë një pretekst të pabazë për një luftë të zgjedhur. Këshilli i Europës u themelua në vitin 1949. Rusia u bashkua në 1996.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.