Ryshfet punonjësve të Policisë Kufitare dhe kontrabandë medikamentesh – Procedohen penalisht 2 shtetas

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, njoftojnë se kanë goditur një rast të mitëdhënies ku në përfundim të veprimeve për këtë rast është proceduar penalisht shtetasi L. H., 18 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit ky shtetas u ka ofruar punonjësve të Policisë Kufitare, një shumë parash, për të kaluar kufirin në mënyrë të parregullt.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, bëhet me dije se në bashkëpunim me autoritetet doganore, është goditur një rast i kontrabandës me mallra të licencuara ku në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast është proceduar penalisht shtetasi M. K., 46 vjeç, banues në Turqi, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”, pasi gjatë kontrollit në vijën e dytë, në valixhen e këtij shtetasi janë gjetur disa pako me medikamente mjekësore, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar dhe as nuk kishte dokumentin e shoqërimit me lejen e importit nga autoritetet përgjegjëse.
Materialet në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.