Sanksionet kundër oligarkëve rusë – Masat e SHBA nxisin daljen e parasë nga bankat e Letonisë
Sanksionet amerikane që shënjestruan miliarderët e Rusisë, kanë shkaktuar një dalje të parasë nga Letonia, vend ku sistemi bankar është akuzuar për skandale të pastrimit të parasë.
Këto masa bënë që huadhënësit në Letoni të përfundojnë marrëdhëniet me njerëzit dhe entet e sanksionuara, sipas rregullatorit financiar në vend. Sanksionet amerikane kanë dëmtuar interesat e biznesit të miliarderëve, përfshirë manjatin e aluminit, Oleg Derpiaska, firma e të cilit, Rusal, ka humbur thuajse 60% të vlerës që prej lajmërimit.
Paraja e jashtme kishte nisur daljen nga Letonia, që kur banka e tretë më e madhe në vend u mbyll prej akuzave të Washingtonit se trajtonte në mënyrë të vazhdueshme paranë e pisët.
Letonia, vend anëtar i Bashkimit Europian dhe Eurozonës, është parë në mënyrë të vazhdueshme si një qendër e pagesave për klientët rusë. Në përpjekje për të larguar këto akuza, qeveria ka ashpërsuar mbikëqyrjen e sistemit financiar. Depozitat totale kanë rënë me rreth 2.5 miliardë euro që prej mesit të muajit Shkurt. Rregullatorët në vend kanë nisur mbikëqyrjen e rreptë që prej vitit 2016, duke rritur standardet e kapitalit dhe detyruar huadhënësit që t’i nënshtrohen auditimeve nga parandalimi i pastrimit të parasë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.