Schulz apel Europës – “Reforma e unionit ekonomik dhe monetar nuk duhet shtyrë”
Rivali i Angela Merkel në postin e kancelarit në Gjermani, Martin Schulz, i cili pak kohë më parë mbante postin e Presidentit të Parlamentit Europian bëri thirrje për një përshpejtim të procesit të reformave në Eurozonë, si dhe forcimin e unionit monetar përpara largimit të Britanisë nga unioni në vitin 2019.
Gjatë një fjalimi në Paris, kandidati i social demokratëve gjermanë deklaroi se, është në mbështetje të një buxheti të përbashkët për investimet në Eurozonë dhe një ministri të përbashkët financash me misionin për të luftuar konkurrencën e taksave dhe evazionin fiskal.
“Reforma e unionit ekonomik dhe monetar nuk duhet të shtyhet më”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Martin Schulz shtoi se, Gjermania duhet të bëjë më shumë për Europën, përfshirë kontributin në buxhetin europian.
Kandidati socialdemokrat është pretendenti kryesor për t`i zënë vendin Angela Merkel pas një dominimi 12-vjeçar të saj, dhe i vetmi që i është afruar kaq shumë në sondazhe.
Gjithsesi, ai është ende thuajse 20 pikë larg rivales së tij dhe gjasat për t`u zgjedhur kancelar pas zgjedhjeve të përgjithshme të Shtatorit, për momentin janë minimale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.