Sektori i e-commerce, raporti i Komisionit Europian: Prodhuesit janë bërë edhe shitës

Komisioni Europian ka publikuar të mërkurën raportin final mbi hetimin e sektorit të tregtisë online, e-commerce.
Raporti zbulon se shitja e mallrave në internet ka sjellë një transparencë të rritur të çmimeve, duke prekur kështu si aktorët ashtu edhe konsumatorët. 53% e shitësve detyrohen të ndryshojnë çmimet duke monitoruar konkurrentët, çka sjell çmime më të ulëta për blerësit.
2/3 e prodhuesve kanë hapur këto 10 vitet e fundit dyqanet e tyre online, duke eliminuar nevojën për shitës të ndërmjetëm. Kozmetika dhe shëndetësia janë kategoria e produkteve me proporcionin më të lartë në këtë fenomen.
Një risi që ka ardhur prej ndikimit të shitjeve online është se prodhuesit kanë filluar të jenë selektivë për shpërndarësit, të cilët duhet të përmbushin kritere që kanë të bëjnë me imazhin, shërbimet, shitjet online dhe dërgesat. Shumica e prodhuesve tregon se nuk lejojnë marrjen pjesë të lojtarëve që janë vetëm online në rrjetin e tyre të shpërndarjes.
Gjithashtu një sërë masash ndaluese ose kufizuese për shitësit janë vendosur nga prodhuesit, si limitimi e rekomandimi i çmimeve, kufizimi i shitjes në tregje të caktuara, kufizimi i shitjeve nga shteti në shtet, kufizime për të shitur në faqen onlinet, etj.
Sa i takon tregut që ofron shërbime dixhitale si filma dhe muzikë, është vënë re një tendencë për kontrata relativisht afatgjata për të drejtat e shpërndarjes, çka vështirëson futjen në treg të aktorëve të rinj.
Raporti mbuloi tregtinë online të mallrave të konsumit dhe përmbajtjes dixhitale, duke dërguar pyetësorë tek shitës, prodhues, platforma e-commerce dhe operatorë të shërbimeve të pagesave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.