Sezoni i festave – Gjashtë mënyra praktike për të shmangur tepricën e ushqimit
Pjesa më e madhe e botës është përfshirë nën atmosferën e sezonit të festave, ku përveç disa ditë pushimi, është koha edhe për të shijuar ushqimin. Në disa vende ka dhe disa ushqime tradicionale që gatuhen në fundvit. Për shembull, sallata oliver në Rusi, qulli i kuq në Kore, ëmbëlsirat me banane në Vietnam, apo edhe përsheshi me gjelin e detin në Shqipëri.
Festat e fundvitit shpeshherë kthehen edhe në mbipërdorim dhe sasi të madhe të ushqimit. Dhe ajo që vihet re është se një pjesë e mire e ushqimit shkon kot. Sipas statistikave, 1/3 e të gjithë ushqimit të prodhuar në botë shkon kot, llogaritet si 1.3 miliardë tonë në vit. Dhe nuk është vetëm ushqimi që shkon kot, por edhe paraja dhe energjia fizike për të përgatitur atë.
Por qe te kaloni një festë të gëzuar, dhe njëkohësisht të mos teproni me ushqimet, që më pas do të shkojnë kot, ndiqni këto gjashtë këshilla:
1- Jini realistë – Planifikoni paraprakisht dhe mos përgatitni ushqim për 50 veta nëse janë vetëm 5 persona që po vijnë për darkë.
2- Futini në frigorifer tepricën e ushqimeve ose jepni me vete të ftuarve – Nëse ju përgatitni shumë ushqim, paketojani miqve ti marrin me vete. Në të kundërt, çfarëdo që ka mbetur vendoseni menjëherë në frigorifer për një ditë tjetër. Në përgjithësi, ushqimi nuk duhet të lihet në temperaturën e dhomës për më shumë se dy orë.
3- Kthejeni ushqimin e mbetur në drekë apo darkë të ditës së ardhshme – Ka shumë receta krijuese në internet për përdorimin e tepricës. Për shembull, nëse keni copa pule të mbetura, mund ti copëtoni dhe të bëni një supë të shijshme ditën tjetër.
4- Përfundoni ushqimet e mbetura në frigorifer para se të gatuani diçka të re. Instinkti për të gatuar diçka të re në çdo vakt është mjaft i zakonshëm, por para se të gatuani një pjatë të re, shikoni nëse mund të konsumoni ende ushqimin e përgatitur më përpara. Vetëm mos harroni, shmangni ri-ngrohjen e ushqimit disa herë.
5- Bëni një darkë apo drekë festive të tipit “bufe”. Ku miqtë të ndihen të lirë të marrin apo zgjedhin ushqimet që duan të konsumojnë. Nëse ju vendosni një pjatë fikse, shpeshherë miqtë ndihen të detyruar të hanë edhe atë çfarë ata nuk pëlqejnë. Kështu ushqimi tjetër mbetet i paprekur.
6- Dhuroni atë që nuk e përdorni – Nëse blini produkte të paketuar, ose produkte të thata apo ushqime të tjera, dhurojini për bamirësi në zonën ku ndodheni. Jo çdo kush ka patur mundësi për të patur një darkë të vërtetë festive.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.