Shërbimi në urbanë, zgjatet linja e ish-Uzinës së Autotraktorëve

Linja urbane e ish-Uzinës së Autotraktorëve është zgjatur deri në Institutin Bujqësor, duke kursyer qytetarët të cilët më parë duhet të përdornin dy autobusë për këtë destinacion.
Ndërkohë që flota e urbanëve e cila ka qenë tërësisht problematike dhe pa standardet e duhura, është rinovuar dhe është dyfishuar duke ofruar një shërbim më cilësor për qytetarët.
“Kemi shkuar nga 16 në 30 autobusë modernë dhe ajo që dëshmuam sot është se kemi një cilësi jashtëzakonisht më të mirë në autobusët e rinj dhe qytetarët janë të kënaqur. Është një fillim i mbarë dhe besoj një lajm i mirë për zonën e Shkozës dhe për gjithë ish Uzinën e Autotraktorëve, e cila është rritur jashtëzakonisht, sidomos në vitet e fundit, prej banorëve të rinj që kanë ardhur”, tha Veliaj.
Linja nga ish-Uzina e Autotraktorëve deri në Institutin Bujqësor dhe anasjelltas, ka 32 stacione autobusësh, ndërkohë që është përmirësuar frekuenca e autobusëve.
Kontrollet e Bashkisë së Tiranës në linjat urbane kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit ndërkohë që do të vijojnë sërish, me qëllim që operatorët të përmbushin kushtet e kontratës dhe të ofrojnë një shërbim dinjitoz.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.