Shqetësohen mbështetësit e Brexit – Farage: Pala që kërkon të qëndrojë po bën drejtimin

Mbështetësi i fushatës pro-Brexit, Nigel Farage, tha se është i shqetësuar se votimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian mund të përmbyset nga një grup i fuqishëm i mbështetësve të bllokut.
Në një intervistë për të përditshmen britanike “The Observer”, Farage, ish kreu i partisë së euroskeptikëve në Britani, tha se një grup i mirëorganizuar i mbështetësve të BE po eklipson ata që kërkojnë të dalin.
“Pala që kërkon të qëndrojë po bën gjithë drejtimin. Ata kanë mazhorancën në Parlament, dhe nëse nuk organizoheni, ne mund të humbasim fitoren historike që ishte Brexit”, tha Nigel Farage.
Në 2016-ën, britanikët votuan 52% pro 48% kundër, për daljen nga Bashkimi Europian. Kryeministrja Theresa May ka përjashtuar alternativën e një referendumi të dytë, duke thënë se Qeveria e saj po përpiqet të arrijë një “divorc” miqësor me bllokun, që do të mbrojë ekonominë dhe mundësojë Britaninë që të arrijë marrëveshje tregtare me vendet e tjera. Megjithatë, disa mbështetës të Brexit shqetësohen se qëndrimi i saj ka qenë rezultat i zbutjes së disa prej kërkesave të tyre, përfshirë aftësinë për të reduktuar emigrimin.
Javën e kaluar, një sondazh i Daily Mirror tregoi se nëse do të ribëhej votimi, 55% do të ishin pro qëndrimit, pavarësisht se më shumë njerëz mendojnë se nuk duhet të ketë një referendum të dytë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.