Shqipëria e Kosova, strategjikisht bashkë – Lëvrim i përbashkët fondesh dhe njësim i selive diplomatike

Nëse nuk mund të jenë sëbashku në një shtet të vetëm, atëherë Shqipëria e Kosova mund të paktën të funksionojnë si një aleancë në sytë e diplomacisë europiane.
Kryeministri Rama u shprehën në konferencën pas takimit me homologun Haradinaj, se të dy vendet duhet të përfitojnë së bashku nga mundësitë e ofruara përmes procesit të Berlinit edhe nga fondet IPA.
“Sot kemi folur specifikisht për rolin që ministrat e jashtëm do të marrin në këtë proces, në mënyrë që përmes koordinatorëve kombëtarë në procesin e Berlinit, ne të mund të jemi shembullor në përfitimet nga procesi jo thjesht si shtete më vete, por si dy shtete të interesuara strategjikisht për të funksionuar sëbashku”, tha Rama.
Rama i ka quajtur ndërkohë shpenzime të paarsyeshme të buxheteve të dy vendeve mbajtjen e selive diplomatike të ndara.
“Kemi folur për një plan për ndërtimin e një fondi imobiliar shqiptar në Europë duke filluar nga kryeqendrat e diplomacisë europiane, për t’u shtrirë më tej. Do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve dhe njëkohësisht do t’u japë shqiptarëve një adresë”, shtoi Rama.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi strategjinë e propozuar dhe u shpreh se deri në mbledhjen e ardhshme do të ketë një axhendë edhe më të përparuar për veprime që ndihmojnë të dyja vendet.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.