Shuhen shpresat në Indi / Pandemia kalon tek zonat rurale. Rekord rastesh dhe vdekjesh përsëri

Shpresat që vala e dytë vdekjeprurëse e infeksionit në Indi po arrin majën u larguan ditën e Enjte, ndërkohë që vendi raportoi një numër rekord të rasteve dhe vdekjeve, pasi virusi po përhapet nga qytetet te zonat rurale. India raportoi një rekord prej 412,262 rastesh të reja në 24 orët e fundit, dhe një rekord prej 3,980 vdekjesh. Infeksionet e Covid-19 janë rritur sipër 21 milionë, me një total të vdekjeve prej 230,168, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë.
Modelet e qeverisë projektonin arritjen e një maje të valës së dytë të infeksioneve ditën e Mërkurë, çka u hodh poshtë 24 orë më vonë. Ndërkohë që spitalet ndodhen në mungesë të shtretërve dhe pajisjeve të oksigjenit, Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi në raportin javor se India përbënte për gjysmën e rasteve të raportuara në botë në javën e kaluar. Ekspertët mjekësor mendojnë se shifra e vërtetë mund të jetë 5 deri në 10 herë më e lartë se ajo që raportohet. Kriza e Covid-19 e Indisë ka qenë më e theksuar në kryeqytet, New Delhi, dhe tashmë po përhapet në zonat rurale, ku qëndron 70% e popullsisë prej 1.3 miliardë e Indisë. Mjekët në terren thonë se njerëzit në zonat rurale janë mbyllur në shtëpi me temperaturë dhe kollë, me simptoma të Covid-19, por pa informacionin e nevojitur, ata mendojnë se kanë gripin stinor. Kryeministri Narendra Modi është kritikuar gjerësisht për reagimin e ngadaltë ndaj valës së dytë, pasi u mbajtën festivale të mëdha fetare dhe fushata zgjedhore, që tërhoqën qindra mijëra njerëz.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.