Si mund ta sulmojë Rusia infrastrukturën e Britanisë së Madhe – Shënjestrat: rrjeti elektrik, interneti dhe fake news

Rusia mund të vrasë mijëra njerëz me një sulm që paralizon infrastrukturën e Britanisë. Kështu ka paralajmëruar sekretari i Mbrojtjes, Gavin Williamson, duke dhënë si shembull dëmet potenciale në rrjetin elektrik dhe kabllot e komunikimit.
Këto deklarata të tij janë hedhur poshtë nga qeveria ruse, e cila i ka quajtur komentet si diçka që do dilnin nga një libër për fëmijë, apo nga një shfaqje humoristike televizive.
Por komentet e sekretarit të mbrojtjes thjesht i bëjnë jehonë paralajmërimeve të mëparshme nga liderët ushtarakë dhe zyrtarët e sigurisë. Dr Igor Sutyagin, një ekspert mbi Rusinë thotë: “Nuk është thjesht shitje frikësimi. Teknikisht ai është korrekt, por ajo që është e nevojshme të kemi parasysh është se ata nuk do të sulmojnë nesër”.
Energjia
Britania ka katër ndërlidhës nënujorë për elektricitetin dhe tre për gazin, të cilët furnizojnë me energji tre milionë shtëpi. Kjo shifër do të ngrihet në tetë milionë shtëpi teksa më shumë lidhje ndërtohen. Rusia i ka parë këto lidhje dhe stacione energjie dhe ka pyetur veten “Si mund ta lëndojmë Britaninë”, tha Williamson. Sipas sekretarit të mbrojtjes, ndërprerja e këtyre lidhjeve, si përmes një sulmi kibernetik, si përmes aktivitetit nënujor, do të shkaktonte kaos.
Komunikimi
Liderët ushtarakë thonë se Rusia mund të nisë gjithashtu një sulm shkatërrues ndaj kabllove ujore të internetit. Rreth 97% e komunikimeve botërore kalojnë përmes kabllove në shtratin e detit dhe përçojnë 7 miliard paund në ditë transaksione financiare.
Disa nga lidhjet botërore më të përdorura kalojnë nga brigjet e Britanisë dhe ndërprerja e ishullit nga këto lidhje është konsideruar “asgjë më pak se ekzistenciale”.
Përmbysje politike
Përtej sulmeve ndaj infrastrukturës, të shumtë janë të shqetësuar mbi përzierjen në demokracinë në Britaninë e Madhe. Ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane nuk janë një incident i izoluar dhe përpjekje janë bërë për të ndikuar edhe në referendumin e Brexit.
Taktikat përfshijnë përhapjen e lajmeve të rreme dhe hackimin e publikimin e informacioneve të ndjeshme politike, të cilat mund të përbëjnë një kërcënim për procesin demokratik të vendit. Disa argumentojnë se kjo do të kishte pasoja më të thella e dëmtuese se sa sulmet fizike në infrastrukturë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.