Sondazhi i BQE – Bankat e Eurozonës presin rritje të kërkesës për kredi në T3
Bankat në Eurozonë pritet të rrisin huadhënien në tremujorin e tretë të këtij viti, duke lehtësuar aksesin në kreditë hipotekore, kreditë e korporatave dhe të konsumatorëve, tregon Banka Qendrore Europiane në një sondazh.
Kërkesa për kredi ka vazhduar rritjen në tremujorin e dytë dhe aksesi në kreditim është bërë më i lehtë në thuajse të gjithë kategoritë. Sipas institucionit në Frankfurt, kjo është nxitur kryesisht nga rritja e konkurrencës mes bankave dhe aksesit ndaj financimit të lirë.
“Ndërsa shumë faktorë kanë kontribuar te lehtësimi i standardeve të kreditit për huatë e korporatave në tremujorin e dytë 2017, presioni nga konkurrenca ka qenë kryesori”, deklaron BQE. Për kreditë hipotekore, konsumatore dhe hua të tjera drejt ekonomive familjare, presioni i konkurrencës dhe perceptimet për riskun kanë sjellë një lehtësim në standardet e kreditit.
Ndër vendet më të mëdha të bllokut, lehtësimi më i madh për kreditin e korporatave është parë në Itali dhe Gjermani, ndërsa për rastin e kredive hipotekore, kryeson Danimarka. Duke mbajtur kostot e huamarrjes në nivele të ulëta rekord, Banka Qendrore Europiane ka nxitur kreditimin në nivelet më të forta që prej krizës së borxhit të Eurozonës.
Megjithatë, huadhënia drejt korporatave dhe ekonomive familjare po rritet me gjysmën e normës që ka pasur përpara krizës, për shkak të borxhit të keq prej 1 trilionë euro, që bankat mbajnë në bilancet e tyre. Sondazhi është bazuar në përgjigjen e 142 bankave gjatë muajit Korrik.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.