Startojnë Lojërat Olimpike “Tokio 2020” / Kostoja totale, rreth 15.4 miliardë dollarë. Marrin pjesë 11 mijë atletë
Lojërat Olimpike të Tokios u hapën të premten, me një ceremoni si asnjëherë më parë, mes marshimit fin të lojtarëve më të mirë të botës dhe vështirësive globale të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit. Të shtyra me një vit për shkak të Covid-19, organizatorët u detyruan të marrin vendimin drastik, për të zhvilluar Lojërat pa spektatorë, pasi pandemia vazhdon të marrë jetë në të gjithë botën. Edhe ceremonia hapëse, që normalisht ndiqet nga personalitetet globale të të gjitha fushave, këtë vit kishte rreth 1 mijë të pranishëm. Megjithatë, pavarësisht problemeve, Lojërat Olimpike shënojnë një bashkim për botën, me një audiencë prej qindra miliona në të gjithë globin. Japonia i kishte promovuar këto lojëra si një jehonë e Lojërave Olimpike Tokio 1964, që shënuan kthimin e vendit në arenën ndërkombëtare pas humbjeve shkatërruese të Luftës së Dytë Botërore, por këtë herë duke e vendosur theksin te rimëkëmbja nga tërmeti i vitit 2011, cunami dhe kriza bërthamore. Por, në 2020-ën goditi koronavirusi, që detyruan shtyrjen e paprecedentë të Lojërave rreth 4 muaj përpara datës së fillimit të tyre. Ndërkohë, ceremonia hapëse u zhvillua pa koreografitë e mëdha, me kërcimtarë, aktorë dhe personalitete të tjera. Gjithashtu, një numër shumë i vogël atletësh marshuan në paradën e ekipeve, pasi shumica e sportistëve do të mbërrijnë në vend pak përpara garës së tyre dhe do të largohen më pas, për të shmangur infektimet. Vetëm 15 liderë globalë ishin të pranishëm në ceremoninë hapëse, së bashku me perandorin e Japonisë, Naruhito, i cili hapi zyrtarisht Lojërat, siç bëri gjyshi i tij Hirohito në vitin 1964. Organizatorët thonë se kostoja totale e Lojërave Olimpike do të jetë rreth 15.4 miliardë dollarë, duke përfshirë edhe 3 miliardë dollarë kosto për shtyrjen, megjithëse ekspertët vlerësojnë se shifra do të jetë më e lartë. Garat do të zgjasin deri më 8 gusht dhe do të marrin pjesë rreth 11,000 atletë nga 204 vende të botës, së bashku me një grup atletësh refugjatë që garojnë nën flamurin e Lojërave Olimpike.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.