Studimi/ Presioni për të ‘veshur’ gjithmonë një fytyrë të lumtur shkatërron lumturinë

Të gjithë duan që të jeni të lumtur: Librat psikologjik që japin këshilla se si të ndaloni shqetësimin, të rritni lumturinë dhe të dëboni mendimet negative; shefat kërkojnë gjithashtu të shohin entuziazëm të buzëqeshur në vendin e punës si dhe mënyra e vetme për t’iu përgjigjur pyetjes “si jeni?” është me një “shkëlqyeshëm” të gëzueshëm, por sipas Svend Brinkmann, profesor i psikologjisë në Universitetin Aalborg të Danimarkës, kultura e pozitivitetit ka një anë të errët.
Lumturia thjesht nuk është përgjigjja e duhur për shumë situata në jetë, thotë Brinkmann, madje akoma më keq, të shtiremi si të tillë mund të na dëmtojë thellë emocionalisht. “Unë besoj se mendimet dhe emocionet tona duhet të pasqyrojnë botën. Kur ndodh diçka e keqe, duhet të na lejohet të kemi mendime dhe ndjenja negative për të, sepse kështu e kuptojmë botën ” thotë ai.
“Jeta është e mrekullueshme herë pas here, por është gjithashtu tragjike. Njerëzit vdesin gjatë jetës tonë, ne i humbasim ato, nëse jemi mësuar të kemi vetëm mendime pozitive, atëherë këto realitete mund të na godasin edhe më intensivisht kur ato ndodhin realisht, dhe është e sigurt se ato do të ndodhin. “
Nuk ka asgjë të keqe me ata që mendojnë se është më mirë të jesh gjithnjë pozitiv por problemi lind kur kjo lumturi bëhet një rekuizitë e domosdoshme, vazhdon Brinkmann. Në vendin e punës, për shembull, kur vlerësimet e performancës shpesh insistojnë të përqendrohen në rritjen e pozitivitetit dhe jo në vështirësitë e vërteta, kërkimi i shfaqjes së lumturisë është “pothuajse totalitar”. Brinkmann e krahason këmbënguljen për lumturinë e punonjësve me “kontrollin e mendimit”.
Në Amerikë, lumturia e detyrueshme u bë objekt i një çështjeje kundër kompanisë T-Mobile në maj 2016, ku Bordi Kombëtar i Rishikimit të Punës përcaktoi se punëdhënësit nuk mund të detyrojnë punonjësit të jenë të lumtur vazhdimisht.
Lumturia e detyrueshme nuk është thjesht një shqetësim në vendin e punës. Nëse ka kuptim të përgjigjemi në mënyrë mekanike me një “mirë, faleminderit” kur dikush pyet se si po kalon, ekziston rreziku që fytyrat tona publike pozitive të dominojnë gjithnjë e më shumë sferën shoqërore. Në fund të fundit, një atmosferë e gëzuar dhe pozitive sigurisht është gjithnjë e mirëpritur por kjo nuk duhet të pengojë diskutimin e traumave dhe krizave me miqtë e afërt.
Ideja themelore që gjithkush mund ta bëjë veten të ndjehet i lumtur nënkupton që njerëzit e pakënaqur duhet të fajësohen për fatkeqësinë e tyre dhe pamundësinë për ta arritur këtë.
Në fund të fundit, emocionet negative luajnë një rol të rëndësishëm dhe të shëndetshëm në mënyrën se si ne e kuptojmë dhe reagojmë ndaj botës. Faji dhe turpi janë thelbësore për një sens të moralit. Zemërimi është një përgjigje e ligjshme ndaj padrejtësisë. Presioni për të veshur gjithnjë një fytyrë të lumtur mund të na bëjë të ndjehemi të mjerueshëm. Trishtimi na ndihmon të përpunojmë tragjedinë. Dhe lumturia është gjithashtu e madhe. Vetëm jo gjatë gjithë kohës. (Quartz)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.