Suedia anon nga populizmi – Asnjë bllok nuk fiton shumicën, fuqizohen euroskeptikët

Zgjedhjet e ditës së Diel në Suedi rezultuan në një parlament të varur, ku asnjë parti nuk fiton shumicën e votave, ndërkohë që nacional demokratët fituan mbështetje dhe një nga vendet më liberal të Europës anoi nga populizmi, prej shqetësimeve nga emigrimi.
Partitë e ekstremit të djathtë kanë pasur mbështetje të madhe në Europë gjatë viteve të fundit, prej shqetësimit të humbjes së identitetit kombëtar dhe efekteve të globalizimit dhe emigracionit.
Në Suedi ka patur një fluks prej 163 mijë azilantësh në vitin 2015, që është niveli më i lartë në Europë kundrejt një popullsie prej 10 milionë. Kjo është reflektuar te votuesit dhe ka kërcënuar stabilitetin politik.
Pas numërimit të të gjitha votave, Social Demokratët, të Gjelbrit dhe aleatët e tjerë të qendrës së majtë, fituan 40.6% të votave, ndërsa opozita e qendrës së djathtë, mori 40.3%.
Qendra e majtë mori 144 vende në Parlamentin me 349, ndërsa aleanca e djathtë fitoi 142, gjë që nënkupton se do të ketë pasiguri përpara se të krijohet Qeveria. Demokratët e Suedisë, partia e djathtë, fitoi 17.6% të votave dhe 63 vende në parlament, nga 49 që kishte në zgjedhjet e kaluara, duke fituar shumën më të madhe nga partitë individuale në parlamentin e Suedisë.
Pavarësisht se rezultati ishte poshtë projeksioneve të liderit të Partisë, Jimmie Akesson, ai tha përballë popullit se ishte fituesi i zgjedhjeve. Ai synon që partia e tij, që kërkon daljen nga Bashkimi Europian dhe mbylljen e kufijve, të luajë një rol vendimtar në negociatat për formimin e Qeverisë.
Zgjedhjet e Suedisë do të shtojnë tensionet në Bruksel, ndërkohë që nisin zgjedhjet në Parlamentin Europian në muajin Maj, gjë që mund t’i shtojë fuqinë grupeve euroskeptike dhe ndërpresë integrimin e mëtejshëm të Europës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.