TAP: Kontratat për operimin dhe mirëmbajtjen jepen në 2018 – Albgaz në pritje

Luca Schieppati, drejtori manaxhues i TAP u shpreh se procesi i prokurimit të kontratave për operimin dhe mirëmbajtjen e gazsjellësit tashmë ka nisur. Megjithatë, pritet që shumica e kontratave afatagjata të jepen vitin e ardhshëm.
Një nga këto kontrata përfshin edhe atë me “Albgaz”, kompaninë e gazit me aksioner 100% shtetin shqiptar, për shërbimin e mirëmbajtjes së gazsjellësit në territorin e vendit.
Vetë kompania shqiptare shprehej se priste të mbyllte marrëveshjen me TAP brenda këtij viti, por ende nuk kishte marrë detajet e punimeve, operacioneve, mirëmbajtjes, strategjisë e filozofinë nga TAP.
Një arsye për shtyrjen e afateve të kontraktimit mund të jetë edhe çështja e financimit të gazsjellësit, për të cilën Schieppati u shpreh se pret të sigurojë fonde nga një numër institucionesh si BERZH, BEI si edhe nga agjenci të ndryshme eksport-krediti të vendeve të OECD.
Ndërkohë, kontratat e prokurimit të mjeteve dhe ato të ndërtimit u dhanë nga kompania në vitin 2016. Pas më shumë se 16 muajsh, TAP konsiderohet 50% i përfunduar në tre vendet e përfshira, ndërsa në Greqi e Shqipëri punimet kanë përfunduar në masën 71%.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.