Tatimi i pagave “mbush” buxhetin – 10-mujori tejkalon planin, 3.9 miliardë lekë më shumë se 2017
Ndërsa debate midis mazhorancës për tatimin mbi të ardhurat personale është mbyllur dhe qeveria nuk ka pranuar të rrisë pragun e pagës së pa tatueshme në 40 mijë lekë me argumentin e efekteve financiare, duket se ky zë është një kontribues i mirë në mbushjen e arkës së shtetit. Referuar treguesve fiskale të konsoliduar të publikuar nga Ministria e Financave për periudhën Janar-Tetor 2018, të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 31 miliardë lekë, me rritje 14.5% ose 3.9 miliardë lekë më shumë se 10-mujori i vitit 2017, apo 217 milionë lekë më shumë krahasuar me planin.
Financat argumentojnë se krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm, si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, në 10 muaj buxheti ka arkëtuar 370 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8% ose 13.7 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim në masën 98% kundrejt planit të periudhës.
Të ardhurat nga renta minerare kanë pasur rritje të konsiderueshme me 21 për qind, po ashtu të ardhurat nga TVSH-ja janë realizuar në vlerën e 118.5 miliardë lekë dhe pavarësisht goditjes së dhënë nga kursi i këmbimit janë rritur me 3.5 për qind, apo 4 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar. Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 27 miliardë lekë, me rritje 6.6% ose 1.7 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar , pavarësisht efekteve negative të krizës energjetike në bilancin e kompanive. Ndërsa Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dhjetë të vitit, arritën në rreth 368.5 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4 për qind më i lartë ose rreth 8.6 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.