“Të presim shumë prej atyre që iu është dhënë shumë”

Pak ditë më parë, njeriu që sapo mori “titullin” e njeriut më të pasur në botë, Jeff Bezos, drejtoi një apel publik, duke kërkuar ide për të zhvilluar filantropinë, sipas një modeli që të ketë një ndikim sa më të menjëhershëm për të përmirësuar jetët e njerëzve.
Ai iu bashkua multimiliarderëve të tjerë, që nga Bill Gates e Warren Buffet deri te Mark Zuckerberg, të cilët kanë ndërmarrë nisma madhore për të shpenzuar një pjesë të madhe të pasurisë së tyre në projekte të filantropisë. Ka njerëz dyshues rreth këtyre projekteve madhore filantropike, me argumentin se ato përdoren si forma të kamufluara për të përfituar zbritje të taksave apo për të mbështetur dhe ushqyer bizneset ekzistuese.
Për shembull, fakti që një pjesë e filantropisë së Zuckerberg shkon për mbështetjen e kompanive start-up të teknologjisë apo për zgjerimin e përdorimit të teknologjisë në shkolla, bën që shumë njerëz të dyshojnë se kjo formë bamirësie, në fund, synon të forcojë kapitalin më të çmuar të epokës digjitale: mbajtjen dhe përdorimin e të dhënave. Gjithashtu, kanalizimi i kaq shumë fondeve në fondacione filantropike ul bazën e taksueshme dhe qeveritë përfitojnë më pak para nga miliarderët për t’i investuar në vepra me interes publik. Është e vështirë të thuash me siguri ku nis filtantropia dhe ku përfundon interesi i ngushtë i biznesit në disa prej këtyre nismave.
Sido që të jetë, filantropia është kthyer pothuajse në një rregull mes miliarderëve dhe korporatave të rëndësishme globale. Shqipëria është një realitet i vogël, megjithatë shifrat e monitorimeve të filantropisë tregojnë se ajo ka përmasa modeste dhe, për më tepër kryesisht vjen në formën e bamirësisë kundrejt nevojave urgjente, më shumë sesa si një qëllim strategjik i individëve apo korporatave të mëdha. Vetëm disa prej kompanive të mëdha, sidomos në sektorin financiar dhe atë të telekomunikacioneve, e kanë filantropinë si pjesë strategjike të veprimtarisë së tyre, nën ombrellën e përgjegjësisë sociale. Dikush mund të thotë me të drejtë se është e tepruar të pretendojmë që, në këtë fazë të zhvillimit tonë si ekonomi dhe shoqëri, të nxjerrim një Bill Gates apo një Mark Zuckerberg, i cili të shpallë se do ta shpërndajë pjesën më të madhe të pasurisë së tij për filantropi.
E drejtë dhe nuk presim këtë. Por, mbase është koha që më të pasurit të reflektojnë rreth përgjegjësisë ndaj shoqërisë ku jetojnë. Vendimin e tij për të përdorur pasurinë për filantropi Bill Gates e ilustroi me shprehjen e marrë nga Bibla “duhet të presim shumë prej atyre që iu është dhënë shumë”. Me këtë nuk duam të themi se bamirësia duhet të zëvendësojë sipërmarrjen, përkundrazi. Leva ku mbështetet zhvillimi ekonomik është pikërisht dëshira për fitim dhe pasuri.
Pa akumulim kapitali, nuk ka rritje të prodhimit, punësimit dhe, së fundmi, as filantropi. Megjithatë, është fakt se edhe në Shqipëri ka shumë individë të cilët zotërojnë shumë më tepër pasuri nga ç’iu nevojitet atyre apo familjeve të tyre. Nuk do të ishte e padrejtë të pritej që, një pjesë të kësaj pasurie, ata ta shpenzojnë për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, ku të jetojnë pasardhësit e tyre. Filantropia nuk është thjesht një modë e kohës së sotme.
Pionierët e filantropisë botërore janë pikërisht baballarët e kapitalizmit “të egër” amerikan, si John Rockfeller apo Andrew Carnegie. Edhe në një epokë ku kapitalizmi kuptohej ndryshe nga sot, kapitalistët më të mëdhenj ishin të vetëdijshëm se kontributi i tyre në shoqëri nuk duhej të vinte vetëm nga biznesi dhe nismat fitimprurëse, por edhe përmes dhurimit apo investimit në kauza pa përfitim të ngushtë personal.
Shqipëria ka shumë nevoja në përmbushjen e të cilave më të pasurit mund të ndihmojnë. Ka ende shumë varfëri dhe pabarazi sociale, ka mungesa të infrastrukturës bazë, ka nevoja tejet të mëdha në arsim dhe në shëndetësi. Të gjithë paguajnë taksa dhe mund të “lajnë duart”, duke thënë se këto janë detyra të qeverive, por natyrisht që filantropia fillon përtej një këndvështrimi të tillë.
Të ndihmosh në një shoqëri më të arsimuar dhe më të shëndetshme nuk është thjesht bamirësi, është një investim. Askush nuk ka iluzionin se mund t’i përmbushim të gjitha nevojat që ka ky vend, por, sikur ata që kanë përfituar më shumë të japin pak më shumë, me siguri do të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të mirë.
Ersuin Shehu/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.