Inflacioni pengon FED – Çmimet e konsumit rriten nën pritshmëritë gjatë korrikut

Çmimet e konsumit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën lehtë gjatë Korrikut, duke marrë shtysë kryesisht nga ushqimet.
Kjo do të thotë se, Rezerva Federale tashmë ka arsye për të shtyrë për muajin e fundit të vitit rritjen e normave të interesit.
Gjithsesi, me tregun e punës pranë kapacitetit të plotë dhe me përshpejtimin e rritjes ekonomike, shumë analistë parashikojnë që Rezerva Federale të njoftojë tërheqjen nga programi i lehtësimit sasior, që prej muajit të ardhshëm.
Departamenti amerikan i punës njoftoi së fundmi se, çmimet e konsumit u rritën me 0.1% në terma mujorë gjatë Korrikut.
Në terma vjetorë ndërkohë, rritja fiksohet në 1.7%. Gjatë Qershorit, inflacioni fiksohej në 1.6%.
Të dhënat rezultojnë nën pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve, që parashikonin një inflacion në 0.2% në terma mujorë, dhe 1.8% në terma vjetorë.
Pas këtyre të dhënave, dollari amerikan humbi lehtë terren ndaj shportës së valutave kryesore, ndërkohë që tregjet amerikane u regjistruan në rritje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.