Tenderi për linjat interurbane – MTI hap procedurën mes kundërshtimesh nga operatorët aktualë
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës hap të premten procedurën e tenderit për shtimin e linjave interurbane, ndonëse kjo e fundit është kundërshtuar nga ofruesit aktualë të shërbimit.
Në datën 31 korrik Shoqata Kombëtare e Transportit Interurban, përmes një shkrese dërguar kryeministrit, Edi Rama, kërkoi pezullimin e udhëzimit për shtimin e 80 linjave si dhe pezullimin e garës për licencimet e reja.
Sipas kësaj shoqate, procedurat për licencimet e reja janë të jashtëligjshme, ndërsa u organizua edhe një protestë 24 orëshe që solli paralizimin e transportit të udhëtarëve.
Por përtej kërkesave dikasteri i transporteve nuk ka njoftuar asnjë tërheqje nga hapja e garës në datën 4 gusht, teksa ka ftuar operatorët e transportit ndërqytetës, të aplikojnë për licencim, duke paraqitur ofertat përkatëse.
Sipas MTI-së plotësimi i rrjetit të linjave do të shoqërohet me atë të licencimit, vetëm pasi operatorët e interesuar të kenë plotësuar dokumentacionin sipas kërkesave të ligjit dhe të përmbushin kriteret e licencimit.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Interurban, shtimi i 80 linjave të reja nuk është bazuar në asnjë studim, ndërsa 4 vite më parë qeveria përcaktoi se 260 linja janë të mjaftueshme për një shërbim cilësor në këtë sektor.
Por Ministria e Transportit deklaroi se nga Tetori 2016, ka pasur komente, sugjerime dhe kërkesa të shumta nga bashkitë në të 12 qarqet e vendit, komunitete qytetarësh, si edhe nga operatorë të ndryshëm në këtë sektor, të cilat sillnin në vëmendje se një pjesë e territorit mbetej e pambuluar me shërbim.
Sipas MTI hapja e tenderit për shtimin e linjave interurbane ka në fokus përmirësimin e shërbimit për udhëtarët, duke rritur konkurrencën në këtë sektor.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.