Projeksionet për Euron – Pritet të vazhdojë rritjen kundër dollarit deri në fund të 2017

Euro pritet ta mbyllë 2017-ën në rritje kundër dollarit amerikan, nxitur nga pritshmëritë e tërheqjes së stimujve monetarë nga Banka Qendrore Europiane.
Pasi ka humbur më shumë se 25% të vlerës kundër dollarit në 3 vitet e fundit, euro ka rifituar më shumë se 12% deri më tani për vitin, duke u kthyer në një nga valutat kryesore me përformancën më të mirë.
Një sondazh i Reuters drejt 60 analistëve të këmbimit valutor, tregoi se euro pritet ta mbyllë vitin 2017 në një vlerë më të lartë se fillimi i vitit. Ndërkohë që dyshime janë shfaqur mbi vazhdimin e tkurrjes monetare në SHBA, pritshmëritë për Bankën Qendrore Europiane që të nisë reduktimin e blerjeve mujore të aktiveve janë shtuar, gjë që do të kontribuojë në fuqizimin e euros kundër dollarit.
Euro ka marrë nxitje nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë këtë vit, duke mbiperformuar Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara.
Në SHBA, të dhënat e dobëta mbi ekonominë dhe mungesa e unitetit politik në Washington që ka ulur pritshmëritë për ndonjë formë të lehtësimit tatimor nga Donald Trump, kanë rënduar ndjeshëm dollarin.
Skepulatorët e valutave kanë ulur gjithashtu bastet në favor të dollarit, me pozicionet neto për shitje (short) që janë rritur në Korrik për të parën herë në 1 vit. Valuta amerikane mund të përfitojë kur Rezerva Federale të nisë tkurrjen e bilancit.
Megjithatë, kjo do të limitohet nëse zyrtarët e Bankës Qendrore në SHBA nuk vazhdojnë me rritjen e normës bazë të interesit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.