“The Economist” për Ballkanin: Tregu i përbashkët, ide e BE –së për integrimin e rajonit

“The Economist” i ka bërë jehonë përpjekjes së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor për të krijuar unionin doganor, në një shkrim që mban titullin: “Me integrimin në Bashkimin Europian larg, vendet e Ballkanit gjejnë një zëvendësues.
“Gjërat po ndërlikohen në Ballkan, të paktën duke gjykuar nga lajmet”-fillon shkrimi i “The Economist”. “Rusia po akuzon perëndimin se po promovon Shqipërinë e madhe. Mali i Zi akuzon Kremlinin se qëndron prapa grushtit të shtetit. Serbia po akuzon Kosovën për krijimin e ushtrisë, ndërkohë që Maqedonia i është kundërvënë Shqipërisë dhe Kosovës duke pretenduar se po ndërhyjnë në punët e brendshme”-vijon artikulli i prestigjiozes.
Shumica e këtyre akuzave janë boshe, pasi bëhen në një kohë që shumë liderë ballkanikë janë në fushatë elektorale, nënvizon “The Economist”. Por pavarësisht kësaj, ka një pasojë të sigurtë nga kjo që po ndodh; qeveritë e perëndimit janë alarmuar në atë pikë sa të fillojnë të rikthejnë vëmendjen drejt rajonit, thuhet më tej.
Qeveritë europiane kanë filluar të mendojnë një plan sesi të stabilizojnë Ballkanin, dhe mesa duket ky plan rezultoi në krijimin e një tregu të përbashkët, që mbështetet si nga liderët e 6 vendeve ashtu edhe nga vetë Bashkimi Europian.
“Palët do të takohen sërish më 12 korrik në trieste, dhe synimi kryesor i Komisionerit Europian për zgjerim është ai që në këtë datë liderët të firmosin paktin e tregut të përbashkët europian, tregtisë së lirë, lirisë së lëvizjes së punëtorëve dhe të kapitalit si dhe standardizimin e rregullatorëve”-shkruan “The Economist”.
Investitorët e huaj do të shihnin një treg prej rreth 20 milionë banorësh në 6 vende të vogla, vijon më tej shkrimi. Kryeministri i Shqipërisë deklaroi se, shqiptarët duan që të punojnë të lirë në Bashkimin Europian ndërkohë që, qeveria shqiptare po punon për këtë.
Zoti Rama mund të ketë të drejtë kur thotë se, vendet e Ballkanit do futen në BE pak nga pak, duke shmangur rezistencën. “Gjatë kësaj kohe ndërkohë, një treg i përbashkët është një çmim ngushëllimi”-mbyll “The economist” analizën për Ballkanin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.