“Toys ‘R’ Us” do mbyllë dyqanet – Krijon “zbrazëti” te pëlqyesit e lodrave si; Barbie, Monopoly dhe Lego

Toys ‘R’ Us, gjiganti i lodrave në SHBA, do të mbyllë ose shesë të gjithë dyqanet pas dështimit për të gjetur një blerës apo arritur një marrëveshje për të ristrukturuar borxhin prej miliarda dollarësh, gjë që rrezikon 30,000 vende pune. Kjo është një goditje për breza të konsumatorëve dhe qindra prodhues lodrash që shisnin produktet në zinxhirin amerikan të dyqaneve (Toys R us), përfshirë prodhuesin e Barbie, Monopoly dhe shitës të tjerë si Lego.
“Kjo është një ditë e trishtë për ne si dhe për miliona fëmijë dhe familje, të cilëve u kemi shërbyer për 70 vitet e fundit”, tha kreu ekzekutiv, Dave Brandon. Ndërkohë që konsumatorët e kanë pasur më të lehtë që të blejnë te Amazon.com dhe fëmijët kanë zgjedhur aparatet elektronike ndaj lodrave, Toys ‘R’ Us ka hasur vështirësi në rritjen e shitjeve dhe shërbimin e borxhit.
Toys ‘R’ Us bëri të ditur se po kërkon miratim për të likuiduar inventarin në 735 dyqanet në SHBA. Për operacionet në Azi dhe Europën Qendrore, kompania do të ndjekë një proces të riorganizimit. Kreditorët e kompanisë deklaruan se vendosja e çmimeve më të ulëta nga Target, Walmart, Amazon si dhe rënia e madhe e shitjeve kanë sjellë performancën e dobët në tremujorin e fundit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.