Tranzicioni pas Brexit – Tusk: Europa do të konsiderojë zgjatjen e periudhës
Bashkimi Europian po konsideron zgjatjen e periudhës së tranzicionit pas Brexit, sipas Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk. Ai i bëri komentet pasi liderët e Bashkimit Europian u takuan për të diskutuar progresin e dobët të Brexit në samitin dy-ditorë. Sinjalet që do të disponohet më shumë kohë erdhën pas komenteve të Kryeministres Britanike, Theresa May, që tha se po konsideron një zgjatje të periudhës së tranzicionit.
Analistët presin tashmë një periudhë të plotë 3 vjeçare, në vend të 21 muajve që u propozuan fillimisht. “Në fjalimin e saj në Shtator 2017 në Firence, Kryeministrja Theresa May propozoi një periudhë të tranzicionit 2-vjeçare dhe Bashkimi Europian e pranoi në mënyrë unanime. Për rrjedhojë, nëse Britania vendos se zgjatja e periudhës së tranzicionit do të ishte e nevojshme për të arritur në marrëveshje, kam siguri që liderët europianë do ta konsiderojnë”, tha Tusk.
Bisedimet për Brexit kanë arritur në një ndalesë, 2 ditë përpara samitit të Bashkimit Europian. Këmbëngulja e Bashkimit Europian për çështjen e kufirit me Irlandën e Veriut, e ka lënë Theresa May pa alternativa negociuese. Tusk tha se nuk ka arsye për optimizëm dhe se Britania duhet të gjejë një zgjidhje kreative, në mënyrë që të bëhet progres.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.