Tregjet, performancë mikse – Investitorët, kujdes ndaj tensionit politik në Spanjë
Bursat evropiane po karakterizohet nga një performacë mikse në sesionin e parë të kësaj jave, ndërkohë që indeksi DAX i Gjermanisë, përkohësisht, preku nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, i ndikuar nga të dhënat pozitive në Eurozonë.
Indeksi pan-Europian, Stoxx 600, po qëndron në rritje të lehtë. Sektori i shërbimeve dhe i naftës realizon preformancën më të mirë në Europë, për shkak se kompania norvegjeze e naftës, Statoil, deklaroi se ka gjetur një zonë në Detin e Veriut që përmban rreth 130 milionë fuçi naftë.
Edhe sektori i teknologjisë po performon pozitivisht, pas lajmeve se kompania suedeze, Ericsson mund të zgjedhe si drejtor të përgjithshëm, Ronnie Leten, që më herët ka qenë drejtor ekzekutiv i Atlas Copco. Megjithatë, fitimet e indeksit gjerman, DAX, janë kufizuar nga rënia me rreth 5% e aksioneve të kompanisë K+S, pas publikimit të strategjisë së re. Fitimet po kufizohen gjithashtu nga destabiliteti politik në Spanjë. Me mijëra protestues janë mbledhur në Barcelonë, duke kërkuar shpalljen e pavarësisë nga Spanja.
Në këtë situatë, shumë kompani po vlerësojnë zhvendosjen nga Katalonja. Kompanitë Inmobiliaria Colonial dhe Abertis kanë zhvilluar takime për të diskutuar mbi zhvendosjen e zyrave jashtë rajonit të Katalonjës. Në fokus të investitorëve ka qenë edhe stres-testi i publikuar nga Banka Qendrore Europiane, ku thuhej se rreziku i rritjes së normave të interesit është menaxhuar mirë nga shumica e bankave europiane.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.