Tregtia e jashtme – Harta e bilancit tregtar, pozitiv vetëm me Kosovën dhe Spanjën
Teksa për muajin Qershor deficiti tregtar i vendit tonë u zgjerua duke zhbërë përmirësimin e muajve të parë të vitit, trendi në shkëmbimet me vendet partnere mbeti i qëndrueshëm.
Eksportet në drejtim të Spanjës shënuan rritjen më të madhe (+218,4%) krahasuar me Qershorin 2016, duke e listuar këtë vend si destinacionin më të rëndësishëm për prodhimet vendase pas Italisë e Kosovës, me mbi 1.18 miliardë lekë vlerë mallrash.
Kjo rritje konfirmon se tregu spanjoll është gjithmonë e më shumë i rëndësishëm për prodhuesit shqiptarë, e tashmë raporti i shkëmbimeve me vendin iberik është në favor të Shqipërisë.
Në gjashtë muajt e fundit, Shqipëria ka eksportuar 6.5 miliardë lekë mallra drejt Spanjës dhe ka importuar në vlerën 6.3 miliardë lekë, për një bilanc pozitiv prej 200 milionë lekësh. Një vit më parë ky raport fiksohej në humbje prej 3.6 miliardë lekësh.
Ecuri pozitive kanë shfaqur edhe eksportet drejt Kosovës, në rritje me 36.6% për Qershorin dhe 6.3% krahasuar me 6-mujorin e 2016-ës. Së bashku me Spanjën, Kosova është një nga dy vendet e vetme me të cilat Shqipëria ka një bilanc pozitiv tregtar. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, ky raport ishte prej 6.1 miliardë lekësh në favor të vendit tonë dhe në rritje nga viti në vit.
Rritja e eksporteve drejt këtyre dy vendeve, duket se balancon uljen me 1 miliard lekë në vlerë mallrash të shkëmbyer drejt Italisë, vend i cili mban peshën kryesore në tregtinë e jashtme. Në Qershor deficiti tregtar me këtë vend fqinj u përkeqësua dhe në 6 muaj shënon humbje prej 14.7 miliardë lekësh.
Deficitin më të madh vendi ynë vijon ta ketë në shkëmbimet tregtare me Turqinë: në 6-muaj ky bilanc rezulton të jetë 2.3 miliardë lekë. Deficiti është i lartë edhe në shkëmbimet me partnerët e tjerë që kryesojnë importet, si Gjermania, Greqia dhe Kina.
Në total për këto 6 muaj deficit arriti në 161 miliardë lekë, nga ku 79 miliardë janë në raport me vendet e Bashkimit Europian.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.