Tregu i naftës afër ekuilibrit – IEA: Ulja e prodhimit nga OPEC arrin 99% të shumës së premtuar

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë deklaron se tregu global i naftës është shumë afër ekuilibrit, pas tre vitesh të ofertës së tepërt, ndërkohë që uljet e prodhimit nga eksportuesit kryesorë kanë sjellë në balancim rënien e kërkesës për arin e zi.
Agjencia raportoi se inventarët e naftës në vendet e OECD kanë rënë me 17.2 milionë fuçi në Mars.
Ndërkohë, për tremujorin e parë, inventarët janë rritur në një total prej 38.5 milionë fuçi, apo me 435 mijë fuçi në ditë.
“Rezultati neto tregon se inventarët globalë mund të jenë rritur fare pak në tremujorin e parë. Mund të thuhet se tregu është shumë afër ekuilibrit”, nënvizon agjencia me seli në Paris.
Agjencia shkurtoi projeksionet për rritjen e kërkesës globale në 2017-ën me 40 mijë fuçi, në një total prej 1.32 milionë fuçi në ditë. Madje edhe ky nivel do të ishte optimist duke marrë parasysh rënien e konsumit në SHBA dhe ekonomitë e zhvilluara aziatike si Australia, Japonia dhe Korea e Jugut.
Nga ana e ofertës, agjencia raportoi se prodhimi global ka rënë me 755 mijë fuçi në ditë në një total prej 95.9 milionë për muajin Mars, kryesisht prej mbajtjes së premtimeve nga Organizata e Vendeve Eksportuese (OPEC).
Sipas agjencisë, përputhshmëria e Organizatës arriti një nivel surprizues prej 99% për muajin Mars. Nënshkruesit jashtë OPEC-ut përfshirë Rusinë, kanë rritur gjithashtu normën e përputhshmërisë me planin në 64%, nga 38% që ishte në Shkurt.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.