Trump ‘godet’ Libran dhe Bitcoin – Duhet t’i nënshtrohen Rregulloreve Bankare
Donald Trump ka nisur një sulm të ndezur mbi kripto-monedhat, përfshirë edhe monedhën e propozuar nga Facebook, Libra, duke paralajmëruar se rrjeti i mediave sociale mund të jetë subjekt i rregullores së plotë bankare nëse ka ndërmend të realizojë projektin e tij. Presidenti amerikan tha në një seri tweets të enjten se ai nuk ishte “një tifoz” i kripto-monedhave duke përfshirë bitcoin, duke shtuar se ato nuk ishin “para” dhe lehtësojnë aktivitetin e paligjshëm.
“Në mënyrë të ngjashme, ’monedha virtuale’ Libra e Facebook do të ketë pak qëndrueshmëri ose siguri,” shtoi ai. “Nëse Facebook dhe kompanitë e tjera dëshirojnë të bëhen banka, ata duhet të kërkojnë një Licencë Bankare dhe t’i nënshtrohen të gjitha Rregulloreve Bankare, ashtu si bankat e tjera, kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Facebook është kritikuar nga ligjvënësit dhe rregullatorët për planet e saj për të shkundur tregun global të pagesave duke krijuar një kriptomonedhë të dizajnuar për të lehtësuar menjëherë transferimet e parave të brendshme dhe ndërkombëtare me kosto të ulët.
Kompania po krijon një fondacion zviceran jo fitimprurës për të menaxhuar monedhën së bashku me grupe të tjera të teknologjisë, duke përfshirë Uber, Spotify, Visa dhe Mastercard, secila prej të cilave është zotuar të investojë së paku 10 milion dollarë në këtë projekt. Megjithatë, bankat e mëdha kanë shmangur projektin Libra lidhur me frikën rregullatore dhe shqetësimit se përfshirja e tyre mund të ndërhyjë në përpjekjet e tyre vetjake të kripto-monedhës.
Komentet e Trump mbi projektin vijnë një ditë pasi Jay Powell, kryetari i Rezervës Federale të SHBA, paralajmëroi se Libra nuk mund të përparojë nëse grupi i mediave sociale nuk zgjidh “shqetësimet serioze” për “privatësinë, pastrimin e parave, mbrojtjen e konsumatorit dhe stabilitetin financiar” . “Fed dhe Këshilli i Mbikëqyrjes së Stabilitetit Financiar të Thesarit të Shteteve të Bashkuara janë gjithashtu duke vëzhguar zhvillimin e Libra,” tha Powell.
Facebook po përgatitet për seancat javën e ardhshme, si në Komitetin e Shërbimeve Financiare të Dhomës së SHBA dhe në Komitetin Bankar të Senatit për të diskutuar mbi projektin. (FT)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.