Trump prish planet, vendos mos të tërhiqet nga marrëveshja tregtare NAFTA

Presidenti Donald Trump ka njoftuar liderët e Kanadasë dhe Meksikës të mërkurën se nuk do ta ndërpresë marrëveshjen NAFTA në këtë fazë, por se do të fillojë shumë shpejt të rinegociojë kushtet e saj me ta, thuhet në një deklaratë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Trump foli në telefon me presidentin meksikan Enrique Pena Nieto dhe me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, në një bisedë “të këndshme dhe produktive”, siç e quajti ai, ku i njoftoi se do të tërhiqej nga prishja e NAFTA.
“Është privilegji im të përditësoj me kohën NAFTA-n përmes rinegociatave. Besoj se rezultati përfundimtar do t’i bëjë të tre vendet më të forta dhe më të mira”, citohet Trump në deklaratë.
Njoftimi vjen pasi disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë nxorën fjalën se Trump po konsideron të lëshojë një urdhër ekzekutiv që tërheq SHBA nga pakti tregtar me dy vendet e Amerikës Veriore.
Presidenti i SHBA është zotuar shpesh se do të tërhiqet nga pakti tregtar, i cili është në zbatim prej 23 vjetësh, duke thenë se nuk mund të rinegociojë për kushte më të mira për Amerikën.
Trump është prej kohësh edhe akuzues i Meksikës, duke e fajësuar për shkatërrimin e vendeve të punës amerikane. Raporti tregtar mes dy vendeve ishte një suficit i vogël për SHBA në vitet ’90, por për vitin 2016 ai shënoi 63 miliardë dollarë deficit i SHBA ndaj Meksikës.
Ndonëse tërheqja nga NAFTA ishte një premtim elektoral i presidentit, zbatimi i këtij premtimi do të sillte dëme më së shumti në shtetet që ndihmuan në zgjedhjen e tij. Më herët, Shoqata e Rritësve të Misrit i është drejtuar Trump duke e kërkuar të rimendojë këtë premtim.
“Zoti President, fermerët e misrit të Amerikës ju ndihmua të zgjidheni. Tërheqja nga NAFTA do të ishte shkatërrimtare për agrikulturën amerikane”, shkruhej në letrën drejtuar Trump.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.