Bota e “mbytur” me naftë – Mbingarkesë në treg, çmimet vazhdojnë rënien

Çmimet e naftës konfirmuan edhe gjatë sesionit të sotëm momentin aspak të mirë që po kalon tregu.
Në çelje të sesionit të sotëm, Nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 51.63 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 49.37 dollarëve për fuçi.
Të dy benchmark-ët kryesorë kanë humbur mbi 8% që prej kulmit të prekur gjatë muajit Prill.
Ekspertët shprehen se, rënia e çmimeve gjatë javëve të fundit vjen si pasojë e ndërgjegjësimit të investitorëve dhe tregjeve se, tregu vijon të mbetet i mbingarkuar, pavarësisht përpjekjes dhe angazhimit të OPEC për të ngushtuar hendekun kërkesë-ofertë nëpërmjet shkurtimit të prodhimit, me rreth 1.8 milionë fuçi, aq sa vlerësohet të jetë mbingarkesa në treg aktualisht.
Por kjo, duket se nuk ka mjaftuar. Tashmë, të gjithë e kanë të qartë se bota është e mbytur me rezerva nafte.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.