Trump, thirrje për unitet – “Masakra në Las Vegas, akt i pastër i së keqes”

Presidenti amerikan, Donald Trump, e quajti masakrën e Las Vegasit si “një akt të pastër të së keqes” dhe shtoi se do ta vizitojë këtë qytet të mërkurën për tu takuar me familjet e viktimave dhe me të plagosurit. “Po lutemi për ju dhe jemi këtu për ju”, deklaroi Trump në një konferencë për mediat nga Shtëpia e Bardhë.
“I lutemi Zotit të na ndihmojë ta kalojmë këtë periudhë të errët”, shtoi Trump, i cili bëri thirrje për unitet. Autoritetet deklaruan se, numri i viktimave nga të shtënat me armë në koncert ka shkuar në 50, ndërsa më shumë se 400 të tjerë janë plagosur.
Ky ishte sulmi me armë më vdekjeprurës në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. “Uniteti ynë nuk mund të shkatërrohet nga e keqja. Lidhjet tona nuk mund të ndahen nga dhuna. Dhe pavarësisht se ndiejmë një zemërim kaq të thellë për vrasjen masive të bashkatdhetarëve tanë, është dashuria për njëri-tjetrin që na bashkon sot”, shtoi Trump.
Ndërkohë, policia e ka identifikuar të dyshuarin dhe ai është 64-vjeçari, Stephen Paddock, nga Nevada që u gjend i vdekur në dhomën e tij të hotelit. Referuar njoftimit të policisë së Las Vegasit, Paddock hapi zjarr mbi turmën e rreth 22 mijë personave, që merrnin pjesë në një koncert, nga kati i 32 i hotelit luksoz, Mandalay Bay.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.