Tusk kërkon zgjatjen e Brexit – “Nuk duhet të tradhëtojmë britanikët që duan BE”
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i bëri thirrje parlamentit Europian që të jetë i hapur mbi mundësinë e një zgjatje të madhe të Brexit dhe të mos injorojë “shumicën” e britanikëve që kërkonin të qëndronin në Bashkimin Europian. Donald Tusk tha se britanikët që kërkojnë të qëndrojnë në Bashkimin Europian mund të mos jenë të përfaqësuar mjaftueshëm në parlamentin britanik, por duhet të ndihen të përfaqësuar nga asambelja e Bashkimit Europian.
“Duhet të jemi të hapur për zgjatjen e madhe të Brexit, nëse Britania kërkon të rimendojë strategjinë e divorcit. Nuk mund të tradhëtojmë 6 milionë njerëz që nënshkruan peticionin për të përmbysur Brexit. Ata ndihen të papërfaqësuar mjaftueshëm në parlamentin britanik, por duhet të ndihen të përfaqësuar këtu, pasi janë europianë.”
Liderët e Bashkimit Europian i dhanë Britanisë një shtyrje të shkurtër të Brexit, në mënyrë që nëse parlamenti britanik dështon të kalojë marrëveshjen këtë javë, qeveria të ketë kohë që të shprehë se çfarë do të bëjë deri më 12 Prill. Euroskeptiku Nigel Farage, i bëri thirrje parlamentit që të mos zgjasë Nenin 50 të divorcit më tej, duke thënë se kjo do të nënkuptojë kthimin e tij në parlamentin europian, ndërsa Partia Nacionaliste Skoceze i bëri thirrje Bashkimit Europian, që të mos i mbyllë dyert. Kreu i Komisionit Jean-Claude Juncker, paralajmëroi se qëllimet e Britanisë nuk janë ende të qarta.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.