Ulet borxhi – 71% e PBB në fund të 2016
Vitin e kaluar, Shqipëria uli borxhin për herë të parë që nga viti 2010. Statistikat paraprake të Ministrisë së Financave, tregojnë se në fund të vitit 2016, borxhi zbriti në 71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në rënie nga rekordi historik prej 72.7%, që ishte regjistruar në fund të vitit të kaluar.
Strategjia e menaxhimit të financave publike parashikonte shlyrjen e detyrimeve të prapmabetura brenda vitit 2015 dhe më tej një ulje graduale të nivelit të borxhit 2016 e në vazhdim.
Pritet që këtë vit borxhi publik të arrijë në 69.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa deri në vitin 2019 objektivi aktual është ulje e tij deri në nivelin e 56% të Prodhimit Kombëtar.
Në vlerë nominale, borxhi publik i Shqipërisë në fund të vitit të kaluar ishte 1 trilionë e 66 miliardë lekë, në rritje me 2.2% krahasuar me fundin e vitit 2015.
Raportet mes borxhit të marrë në tregun e brendshëm dhe borxhit të jashtëm nuk pësuan ndryshime rrënjësore, ku borxhi i brendshëm përbën afërsisht 52.7% të stokut të borxhit.
Qeveria ka vijuar edhe këtë vit zhvendosjen drejt borxhit afatgjatë, sidomos për sa i takon borxhit të brendshëm. Borxhi afatgjatë, me maturim mbi një vit, ka arritur në 57.3% të totalit të borxhit të brendshëm, nga 53.9% që ishte në fund të vitit 2015. Kjo është bërë për të ulur rrezikun e rifinancimit dhe për të përfituar nga cikli i interesave të ulëta në tregjet financiare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.