UniCredit, ofertë për Commerzbank – “Kërcënon” kampionin gjerman nëse tërhiqet Deutsche Bank
Vlera në treg e bankës së dytë më të madhe në Gjermani, Commerzbank, u rrit, pas raportimeve se gjiganti italian, UniCredit është i gatshëm për të bërë një ofertë rivale për ta blerë, nëse dështojnë bisedimet me Deutsche Bank. E përditshmja britanike Financial Times, raportoi se banka italiane është përgatitur për të bërë një ofertë disa miliardë dollarëshe, për një pjesë të madhe të pronësisë të Commerzbank.
Banka do të shkrihet me filialin gjerman të Unicredit, HypoVereinsbank dhe bashkimi i këtyre do të në Gjermani, ndërkohë që UniCredit mban selinë e vet në Milano, ku dhe do të qëndrojë e listuar. Aksionet e Commerzbank u rritën me 3% në nisje të ditës tregtare, pas publikimit të lajmit. Ndërkohë që qasja e Qeverisë gjermane mbi këtë çështje është ende e paqartë, është spekuluar se lidhja mes Deutsche Bank dhe Commerzbank do të ishte e favorshme, pasi do të krijonte një kampion vendas bankar.
Marrëveshja me UniCredit do të jepte kontrollin e bankës së dytë më të madhe gjermane ndaj një huadhënësi të huaj. Bordi ekzekutiv i Commerzbank pritet të vendosë nëse do të zhvillojë fazat e ardhshme të bisedimeve me Deutsche Bank më 9 Prill.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.