Vendimet e Qeverisë – Manastirliu prezanton projektligjin e ‘modelit të autonomisë spitalore’
Gjatë ditës së sotme këshilli i ministrave ka mbajtur një fjalim për mediat në lidhje me vendimet e reja të qeverisë. Në fjalimin e saj Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur për një projektligj të ri i cili lidhet me modelin e autonomisë spitalore.
“Vjen tashmë në këtë sistem të ri që plotësohet në këtë kuadër ligjor nëpërmjet kartës së performacës një kartë që formohet sipas kritereve të përcaktuara dhe që do të vendosen me vendim të këshillit të ministrave nga spitalet të cilat kanë aftësi menaxheriale, aftësi administrative, aftësi organizative, pikërisht për të përfituar kartën e performacës dhe kartën e autonomisë spitalore. Karta e autonomisë spitalore do të ketë disa nivele të përshkallëzuar në përfitimin e saj pasi i hap rrugën aftësisë menaxheriale, organizative dhe autonomisë financiare të spitaleve. Qëllimi i këtij projektligji dhe qëllimi kryesor i ligjit në fakt është përmirësimi i shërbimeve të kujdesit spitalor, rritja e shërbimit dhe sigurisht miradministrim i burimeve njerëzore dhe burimeve financiare që do të çojë në një eficiencë më të mirë të përdorimit të fondeve sa i përket sistemit spitalor duke angazhuar kështu të gjitha strukturat, fondin e kujdesit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe gjithashtu të gjitha strukturat e tjera të operatorit të kujdesit shëndetësor dhe të gjithë strukturat e spitaleve në vend”, është shprehur Manastirliu.
“Do të kemi një planifikim spitalor kombëtar nëpërmjet një komiteti të ekspertëve që do të hartojnë këtë plan kombëtar spitalor. Do të kemi një organizim të spitaleve duke filluar nga spitalet ditore në spitalet bashkiake, në spitalet rajonale, qendrat rajonale të shërbimeve ku për herë të parë do të kemi dhe spitale të cila do të ofrojnë shërbime të dedikuara jo vetëm në bazë bashkie por edhe në bazë rajoni”, tha ministrja.
“Është një moment besoj dhe do të jetë një pikë kthese aplikimi i autonomisë spitalore, do të filloj ky aplikim në spitalin Memorial në Fier, vlerësojmë që ky aplikim do të fillojë brenda këtij viti me miratimin e ligjit, duke u hartuar të gjitha aktet nënligjore dhe gjitha paketa e procedurave standarde operacionale që do të na ndihmojë jo vetëm në kostifikimin e shërbimeve të kujdesit spitalor por edhe në planifikimin e shtrirjes së modelit të autonomisë spitalore në spitalet të cilat do të plotësojnë të gjitha kriteret për të përfituar kartën e autonomisë spitalore”, u shpreh Manastirliu.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.