“Vërtetimet dhe kërkesat tashmë mund t’i merrni më shpejt!”, Tatimet: Aplikim on-line për 9 shërbime për qytetarët dhe bizneset

Me qëllim përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve, si dhe rritjen e performancës së institucionit së shpejti Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ofrojë në platformën online E-Albania, 9 shërbime shumë të rëndësishme për bizneset dhe qytetarët. Së shpejti sipërmarrësit dhe individët do të mund të bëjnë kërkesë dhe shkarkojnë on line vërtetimet si më poshtë:
-Vërtetim për pagesën e detyrimeve
-Vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit
-Vërtetim për përgjegjësitë tatimore
-Vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën)
-Vërtetim për regjistrim të investitorit
-Vërtetim për pagesën e kontributeve nga subjekti
-Vërtetim për posedim mjeti
-Vërtetim për individ të paregjistruar
-Vërtetim për pagesën e kontributeve për individin
Për një pjesë të këtyre shërbimeve përgjigjja do merret në kohë reale dhe vërtetimi i ofruar në mënyrë elektronike do ketë firmë dhe vulë digjitale.
“Qytetari ose tatimpaguesi do të logohet në portalin e-Albania me kredencialet e tij (emër përdoruesi dhe fjalëkalim) dhe do të zgjedhë shërbimin që i nevojitet. Implementimi i këtij projekti ka rëndësi dhe ndjeshmëri të lartë pasi ndihmon si institucionin ashtu edhe qytetarët në minimizimin e kohës së ofrimit dhe marrjes së shërbimeve. DPT është e angazhuar maksimalisht në lehtësimin e procedurave për të ofruar në çdo kohë dhe me sa më pak kosto shërbim cilësor për çdo tatimpagues”, shkruajnë Tatimet.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.